Krasniqi: LDK-së dhe VV-së po iu dhemb iniciativa e Kryeparlamentarit Veseli

Aktuale

Krasniqi: LDK-së dhe VV-së po iu dhemb iniciativa e Kryeparlamentarit Veseli

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 19:34
Memli Krasniqi

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Kryeparlamentari Kadri Veseli, për të mërkurën në orën 10:00, në Kuvendin e Kosovës, në të cilin do të diskutohet për Dialogun.

Veseli i ka dërguar ftesë Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ekipit Negociator, si dhe grupeve parlamentare nga opozita.

Por, LDK dhe VV, ndërkohë, kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Dialogun pikërisht për të mërkurën, në orën 10:00.

Këtë hap të opozitës, Memli Krasniqi e ka quajtur një lojë të radhës dhe tentim për t’u shpërlarë nga turpi për mungesën e guximit që të pozicionohen qartë lidhur me procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se LDK-së dhe VV-së po iu dhemb iniciativa e Veselit.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga opozita, në po të njëjtën ditë dhe orë kur ishte paralajmëruar takimi i ftuar nga Kryetari Veseli, me ftesat e dërguara për Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator dhe LDK-në e VV-në, është një tentim për t’u shpërlarë nga turpi për mungesën e guximit për të marrë përgjegjësi për shtetin në procesin e Dialogut”, ka deklaruar Krasniqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka rikujtuar se ftesa e Veselit është në vazhdën e iniciativave të shumta për të arritur konsensus nacional lidhur me një çështje tejet të rëndësishme siç është faza finale e Dialogut.

“Konsensusi dhe pjesëmarrja në Dialog është kërkesë edhe e partnerëve ndërkombëtarë, e specifikuar qartë edhe në letrën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump”, ka thënë ai.

“LDK dhe VV nuk mund ta mashtrojnë askënd me këtë lojë, sepse thirrja edhe e një seance që trajton Dialogun, e në anën tjetër refuzimi për t’u bërë pjesë e Dialogut, ose për ta mbështetur atë, nuk shkojnë me njëra-tjetrën. LDK dhe VV duhet qarë të tregojnë se a janë për apo kundër Dialogut. Këtë përgjigje duhet t’ua japin qytetarëve që i kanë votuar, por edhe partnerëvë ndërkombëtarë”, ka thënë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat