Krasniqi: LDK, projekti më i madh politik në historinë e shqiptarëve të Kosovës

Aktuale

Krasniqi: LDK, projekti më i madh politik në historinë e shqiptarëve të Kosovës

Nga: N.H Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 16:37
Pamje nga themelimi i LDK-së

Njëri ndër ish- themeluesit e LDK-së, Milazim Krasniqi ka kujtuar ditën e 23 dhjetorit të vitit 1989, ditë e cila shënon 29 vjetorin e formimit të kësaj partie.

Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është projekti më i madh politik në historinë e shqiptarëve të Kosovës.

“Shumë të tjerë kanë dëshiruar më vonë që të ishin atë ditë në atë vend, por nuk ishin”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij me formimin e LDK-së, ata fituan mbi frikën, censurën, komunizmin dhe po ashtu mposhtën edhe pansllavizmin.

Shkrimi i plotë i Krasniqit:

Sot u mbushen 29 vjet nga dita kur në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës e themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës, projektin më të madh politik në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Ka kaluar shumë kohë, kemi pasur suksese e dështime, fitore e disfata, por data e themelimit mbetet një fitore e përhershme.

Fituam mbi frikën, mbi censurën, mbi komunizmin, mbi pansllavizmin. Ndër vite, secili prej ne themeluesve morëm drejtimin tonë, por kontributet tona mbeten perherë në themelet e këtij projekti monumental. Shumë të tjerë kanë dëshiruar më vonë që të ishin atë ditë në atë vend, por nuk ishin.

Ne që që ishim aty, ishim me fat, sepse patëm rast ta prekim me dorë ndryshimin që bënë historinë. (Siç shihet edhe në këtë foto nga Kuvendi themelues, ishte koha kur edhe unë mbaja një shall.)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat