Të mërkurën diskutohet për draft-marrëveshjen e Qeverisë për dialogun

Aktuale

Të mërkurën diskutohet për draft-marrëveshjen e Qeverisë për dialogun

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 14:37
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit ka marrë sot vendim që të mërkurën të mbahet seanca e jashtëzakonshme për diskutim për draft-marrëveshjen e propozuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë. Kërkesën për këtë seancë të jashtëzakonshme e kanë bërë LDK dhe Vetëvendosja të premten e kaluar.

Pas mbledhjes së kryesisë, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, është shprehur se kjo draft-marrëveshje është e papranueshme.

Ajo ka përmendur edhe kritikat që si grup parlamentar i kanë ndaj këtij drafti të marrëveshjes.

Haxhiu: Dokumenti, i papranueshëm për LVV

“Ky dokument për LVV është i papranueshëm, është problematik. Ne, natyrisht, do të diskutojmë mbi këtë dokument edhe të mërkurën në orën 10, ashtu siç është thirrur kjo seancë e jashtëzakonshme. Por, megjithatë duhet të theksoj faktin që për neve si Vetëvendosje është e papranueshme që Qeveria e Kosovës të shkruajë një dokument sikurse të kishte pozicion neutral karshi Republikës së Kosovës. Pra, ky dokument e ka thënë edhe kryetari i Vetëvendosjes është shkruar ashtu sikurse ndonjë shtet që ka qëndrim neutral për Kosovën. Shumë prej çështjeve që adresohen në këtë dokument janë obligime për Kosovën, tenton të barazoj luftën e shenjtë të UÇK-së me krimet që i ka kryer Serbia. Pra, ta barazojë atë dhe shumë çështje të tjera të cilat ne do t’i adresojmë në seancën e jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar deputetët opozitarë se në vend që të marrin pjesë në seanca të rregullta, po ftojnë seanca të jashtëzakonshme, madje thirrja e seancave të jashtëzakonshme është bërë ‘trend’ i tyre.

Sa i përket temës që do të diskutohet në seancë, Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës e ka thënë fjalën e vet.

Krasniqi: Kuvendi e ka thënë fjalën e tij për dialogun me Serbinë

“Është thirrur një seancë, e cila përsëri ka për trajtim dialogun me Serbinë, për çka tash Kuvendi e ka thënë fjalën e saj dhe pikërisht kjo opozitë që e ka thirrur këtë seancë ka refuzuar të bëhet pjesë e zgjidhjes dhe pozicionimit të Kosovës për dialogun. Pra, është më shumë një tentim për t’u shpërlarë nga papërgjegjësia me të cilën në vazhdimësi  e kanë trajtuar çështjen e dialogut, sidomos tash kur dihet botërisht edhe qasja edhe e partnerëve ndërkombëtarë, kërkesa e tyre për unitet dhe për vazhdim të procesit të dialogut, kam parasysh edhe letrën e presidentit Trump. Tashmë ata po duken që nuk po kanë kurajën që ta thonë të vërtetën dhe të thonë nuk duam të marrim pjesë në dialog, apo nuk duam ta mbështesim dialogun, por që po mundohen përmes këtyre manipulimeve të thonë diçka”, tha ai.

Në të njëjtën periudhë kohore, po për dialogun është thirrur edhe një takim tjetër, e kjo nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Për këtë Krasniqi thotë se opozita po tenton të pengojë dialogun.

Krasniqi: Një tendencë për ta penguar dhe për ta pamundësuar dialogun

“Thirrja e kësaj seance në kohën e njëjtë dhe në orën e njëjtë kur është thirrur më herët takimi nga ana e kryetarit të Kuvendit z. Veseli me delegacionin shtetëror, me përfaqësuesit e opozitës, përfaqësuesit institucional për të unifikuar qëndrimet si shtet kundër Serbisë në dialogun e Brukselit, është edhe një tendencë për ta penguar dhe për ta pamundësuar dialogun. Unë besoj që përfaqësuesit edhe të LDK-së edhe të LVV-së, duhet të vijnë në këtë sallën mbrapa nesh të mërkurën në ora 10, për të dhënë kontributin e tyre në unifikimin e qëndrimeve shtetërore të Kosovës në procesin e dialogut dhe jo të bëjmë lojëra të tilla për t’u munduar me shmang vëmendjen nga çështjet e rëndësishme”, u shpreh ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë se ende nuk e di nëse do të marrin pjesë në seancën e të mërkurës, por ai bëri të ditur se do të takohet me deputetët e kësaj partie për të marrë vendim.

Ndryshe, kërkesën për seancë të jashtëzakonshme e kanë bërë LDK dhe Vetëvendosja, dhe seanca mbahet të mërkurën me fillim nga ora 10.00.

Seanca e jashtëzakonshme të mërkurën në orën 10

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, bëri të ditur se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të mërkurën nga ora 10:00.

Kështu Haxhiu deklaroi pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Para tri ditësh deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për draft marrëveshjen e propozuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat