Votimi i buxhetit, PSD shpjegon 5 kushtet dhënë Qeverisë - Bota Sot
Votimi i buxhetit, PSD shpjegon 5 kushtet dhënë Qeverisë

Aktuale

Votimi i buxhetit, PSD shpjegon 5 kushtet dhënë Qeverisë

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 16:15
Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj

Kryetari i Grupit Parlamentar Dardan Sejdiu dhe deputeti Dardan Molliqaj kanë shpjeguar rëndësinë që kanë 5 kushtet e Partisë Socialdemokrate për Qeverinë dhe mosvarësia e Listës Srpska, në raport me projekt-ligjin për ndarjet buxhetore, përkatësisht në politikat shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në konferencën e sotme për media, Dardan Sejdiu ka shpjeguar efektin e jetësimit të 5 kushteve të PSD-së.

“Ligji për pagat synon paga të dinjitetshme, në përputhje edhe me kërkesat e sektorit të shëndetësisë, që kërkon masa urgjente për shkak të shërbimeve të dobëta shëndetësore dhe të ikjes së mantelbardhëve nga Kosova”, ka thënë ai.

Për kushtin e dytë, Ligjin për Dialogun, Sejdiu nënvizoi se ai mundëson që Kuvendi ta ketë rolin qendror në këtë proces.

Kryetari i Grupit Parlamentar i PSD-së ka sqaruar se Ligji për Qeverinë si kushti i tretë, nënkupton uljen e numrit të zëvëndës-ministrave në dy sosh, që pamundëson pazaret me këto pozita nga partitë e koalicionit qeveritar.

Sipas kumtesës për media, lidhur me kushtin e katërt, ai tha se funksionalizimi i Ministrisë së Bujqësisë duhet të fillojë me shkarkimin e ministrit aktual, Nenad Rikallo, që është parakusht për ndërtimin e kapaciteteve të cilat do ta mundësonin zëvendësimin e importeve.

“Kushti i pestë i domosdoshëm është reforma e tërësishme e sistemit pensional, me draftimin e një Kodi Pensional”, ka përfunduar Dardan Sejdiu, duke sqaruar se kjo reformë mundëson që meritorët të kenë qasje në skema pensionale dhe se kursen rreth 100 milionë euro nga buxheti i Republikës së Kosovës

Në anën tjetër, deputeti Dardan Molliqaj ka thënë se PSD-ja po ofron një qasje ndryshe në skenën politike, që po e bën në siklet edhe pushtetin, edhe opozitën. Duke përmendur rëndësinë e shtyerjeve të bindjeve politike dhe të rezultateve konkrete, ai ka thënë se pjesa tjetër e opozitës dhe pushteti po e ushqejnë idenë e konfliktit.

“Partitë e tjera opozitare nuk e kanë asnjë rezultat të vetëm në këtë mandat. Kanë investim për zgjedhjet e ardhshme për të cilat jemi të gatshëm, kurdo që do ta bëjmë shumicën parlamentare për ta rrëzuar Qeverinë, pa Listën Srpska ”, deklaroi ai.

Dardan Molliqaj sqaroi se buxheti do të kalonte edhe pa votën e PSD-së, pasi që nuk nevojitet shumicë e kualifikuar, porse vota e Grupit Parlamentar të PSD-së në favor të projekt-ligjit për ndarjet buxhetore në lexim të parë, është rezultat i zotimit të Qeverisë për jetësimin e 5 kushteve të PSD-së dhe që buxheti i Republikës së Kosovës të mos varet nga Lista Srpska, që është instrument i Beogradit.

Ai shtoi se pushteti dhe opozita kanë qasjen e njëjtë ndaj Listës Srpska, pasi që pushteti u themelua përmes saj dhe se dy partitë e tjera opozitare po duan ta rrëzojnë qeverinë me Listën Srpska. « Qasja e vetme ndryshe është ajo e PSD-së, e cila nuk do të ndërmarrë në asnjë rast veprime që e bëjnë Kosovën peng të Serbisë », ka përfunduar Dardan Molliqaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...