Mobilizim për dialogun me Serbinë

Aktuale

Mobilizim për dialogun me Serbinë

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 17:26
Thaçi, Vuçiq Mogherini

Në fazën finale të dialogut me Serbinë, Qeveria e Kosovës mëton që të hyjë me ligj të veçantë. Nisur nga ky qëllim, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky projektligj në një afat të shkurtër do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtimin dhe miratim.

“Me anë të ligjit do të përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë”, tha Haradinaj gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Po ashtu, ligji rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, ligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mban me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.

Konform ligjit, Qeveria e Kosovës po harton dhe një platformë për dialogun politik me Serbinë. Kjo platformë pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim njësojë sikur që është votuar Projektligji për dialogun.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe formimin e grupit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, i cili përbëhet edhe nga Partia Socialdemokrate, e cila ndodhet në opozitë. Por, paraprakisht ky grup duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti janë propozuar si bashkëdrejtues të grupit negociator.

Limaj e Ahmeti janë takuar të hënën me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Presidenti Thaçi me bartësit e ekipit negociator të Kosovës kanë biseduar edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të koordinimit përgjatë procesit të bisedimeve dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila Kosovës duhet t’i sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, thuhet në njoftimin nga zyra e presidentit.

Sipas presidentit Thaçi ky moment duhet të shfrytëzohet “dhe është e nevojshme të forcohet edhe më shumë uniteti politik dhe të flitet me një zë për Kosovën”.

I gjithë ky proces po kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Qeveria e Kosovës tashmë ka edhe një marrëveshje të shkruar gjithëpërfshirëse me Serbisë.

Sipas tij, në materialin e propozim të marrëveshjes me Serbinë, kryeministri Haradinaj deri tash e ka diskutuar me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Kurti ka thënë se në atë dokument prej 30 faqesh, më shumë se 100 pika fillojnë me shprehjen “palët”, por në përmbajtje shumica dërmuese e obligojnë Kosovën.

Ai ka thënë se “rreth 50 pika apo paragrafë shprehimisht i adresohen Kosovës dhe vetëm disa sosh, butësisht Serbisë”.

Problemi kryesor i mënyrës së bërjes së këtij dokumenti, ka thënë Kurti, “është që ai parasheh themelimin e një morie trupash, e komisionesh, e ekipesh të përbashkëta midis Kosovës e Serbisë, që në fakt e rilegjitimon praninë funksionale të Serbisë në Kosovë”, është shprehur Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij mbështet procesin e dialogut, i cili, sipas tij duhet të përmbyllet me marrëveshje përfundimtare, e cila do të sigurojë njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, edhe Mustafa ka kritikuar formën e tashmë të organizimit të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“LDK konsideron se arnimet të cilat po përpiqen t’i bëjë koalicioni qeverisës, me ekipe hibride dhe jolegjitime, janë shprehje se Qeveria aktuale ka pranuar pafuqinë e saj për dialogun dhe mungesën e shumicës. Arnimi me një parti, që nuk peshon më shumë se 3 për qind të besimit qytetar, nuk mund t’i shitet Brukselit si grup i unitetit me opozitën dhe as përfaqësim me opozitën”, është shprehur Mustafa.

Derisa, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projektligjin për dialogun, Kryesia e Kuvendi të Kosovës ka vendosur që të mbajë të mërkurën seancë të jashtëzakonshme mbi dokumentin e përgatitur nga nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si “Draft marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Kjo seancë është thirrur me kërkesë të 40 deputetëve.

Po ashtu ekipi negociator po vazhdon takimet e rregullta për ta harmonizuar planet dhe mënyrën e qasje se dialogut politik Kosovës-Serbi.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar për të martën një takim të përbashkët presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare që nuk janë përfshirë në ekip, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat