Haradinaj: Projektligji për dialogun nuk ndërhyn në kompetenca të presidentit

Aktuale

Haradinaj: Projektligji për dialogun nuk ndërhyn në kompetenca të presidentit

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 17:51
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Me këtë rast, janë ndarë 300 mijë euro për ekipin negociator, por nuk është bërë e ditur sesi do të menaxhohen këto mjete.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka përjashtuar mundësinë që ky projektligj të ndërhyjë në kompetencat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

Haradinaj: Projektligji për dialogun nuk ndërhyn në kompetenca të presidentit

“Për besë nuk mundem me e definuar këtë, sponsorizuesit e ligjit e kanë menduar këtë si kornizim. Këto janë korniza ligjore të angazhimeve të delegacionit, por nuk ndërhynë në kompetenca të presidentit. Nuk është i këtillë. Vetëm i jep bazë ligjore funksionimit të delegacionit”, tha ai.

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftim, me kërkesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Me miratimin e këtij ligji, më nuk ka nevojë më të pritet që një individ të ketë 16 vjet për t'u pajisur me letërnjoftim, por prej tash këtë të drejtë e kanë të gjithë personat, përfshirë edhe të porsalindurit.

Miratimin e kabinetit qeveritar e morën edhe Projektligji për Diasporën, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe diasporës, Rregulloren për Mënyrën e Notifikimit dhe Ofrimit të Informacioneve mbi Rregulloret Teknike, Procedurat për Vlerësimin e Konformitetit dhe Standardet.

Njëherësh, edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të rivarrimit të heroit Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, mori miratimin e kabinetit qeveritar në vlerë prej 47 mijë e 500 euro.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndjerit Fadil Vokrri t’i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e dhënë në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Turqisë dhe asaj të vendit tonë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Koncept dokumentin për  fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale. Rregullimi i kësaj fushe parashihet edhe me Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për 2017-2018 dhe me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2018. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat