Haradinaj: U përjetësua dëshmori Asllan Ukë Gashi

Aktuale

Haradinaj: U përjetësua dëshmori Asllan Ukë Gashi

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 16:42
Ramush Haradinaj

Rruga për liri dhe atdhedashuria në Suharekë është e veçantë, për shkak se flijimet po ashtu janë të veçantë dhe të hershme.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite sot në Komunën e Suharekës,  ku bashkë me kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj, ka marrë pjesë në zbulimin e emërtimit të rrugës me emrin e dëshmorit Asllan Gashi, i vrarë në vitet e '80-ta në ish-armatën jugosllave.

Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se Asllan Ukë Gashi sot po përjetësohet në një rrugë të vendit të vet, të Suharekës, po i shtohet plejadës së dëshmorëve, të cilët Suhareka i ka shumë.

“Rruga për liri dhe atdhedashuria në Suharekë është e veçantë, për shkak se flijimet po ashtu janë të veçantë dhe të hershme”, tha Haradinaj, duke përgëzuar komunën që po e përjetëson emrin e dëshmorit të atdheut Asllan Gashi, me emërtimin e kësaj rruge.

Po ashtu, Haradinaj tha se kjo është një ngjarje e mirë edhe për familjarët, duke shprehur respektin për ta, për dhimbjen që e kanë mbajtur për tri dekada, duke shtuar se kjo është një dëshmi se sa e dhimbshme ka qenë rruga jonë për liri. Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se liria dhe pavarësia për qytetarët e Kosovës ka filluar shumë herët, jo në vitet e ’90-ta, e as me luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat