Politologu Ramush Tahiri ka bërë me dije se dy subjektet politike më të mëdha opozitare,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV), mund ta japin kontributin e tyre në fazën finale të dialogut me Serbinë edhe duke mos qenë pjesë e ekipit negociator.
Ai ka deklaruar se ky rol i tyre nuk duhet të keqkuptohet nga opinioni.
Tahiri ka thënë se këto dy subjekte politike duhet të jenë konstruktive në këtë proces me kritikat e tyre.
“Opozita duhet ta luajë rolin opozitar dhe të jetë konstruktive në kritikat e saj në raport me këtë proces. Pra, kundërshtimi i opozitës ndaj ndonjë marrëveshje të mundshme të mos jetë vetëm kundërshtim politik, por të jetë kundërshtim i bazuar në fakte, që ajo marrëveshje të ndryshohet në pjesën që konsiderohet se nuk është e favorshme për Kosovën”, ka thënë Tahiri.
Ai ka vlerësuar se opozita nuk bën të jetë neutrale ndaj këtij procesi dhe të thotë se dialogu me Serbinë është punë vetëm e Qeverisë.