Ushtria e Kosovës zyrtarizohet nesër

Aktuale

Ushtria e Kosovës zyrtarizohet nesër

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 14:08
Ushtria e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se nesër do t’i nënshkruaj ligjet për Ushtrinë dhe se nesër do zyrtarizohet themelimi i ushtrisë së Kosovës.

Thaçi e ritheksoi se Ushtria e Kosovës është e koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

Sipas Thaçit kanë shkuar pesë vjet kot pa ushtri, pasi sipas tij ka pasë mundësi që brenda 2014-ës të themelohet.

“Shpesh jam ndier shumë i vetmuar në angazhimet dhe përkushtimet e mija me ndërkombëtarët për me themelu ushtrinë, por është mirë që në fund i gjithë spektri politik ka votu”, tha Thaçi.

Ndërsa, në pyetjen se çka do të humbë Kosova nëse arrihet një marrëveshje finale me Serbinë pasi kjo e fundit vazhdimisht deklaron se nuk do të heq dorë nga Mitrovica Veriore, Ujmani, Asociacioni..?

Thaçi ka thënë se nga arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendi ynë e fiton njohjen nga Serbia dhe pesë vendet e Bashkimit Evropian.

“Po tregoj më së pari se çka fiton se aty jam i fokusuar. Do të thotë e fiton njohjen nga Serbia, e fiton njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian nëse arrihet marrëveshja dhe unë shpresoj që do të arrihet dhe besoj në atë drejtim. E fiton njohjen globale sepse do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe nuk kemi më nevojë të shkojmë sikur nëpër INTERPOL dhe e fiton të ardhmen e sigurt për në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, nëse Kosova nuk arrinë marrëveshje e fiton një izolim të plotë ndërkombëtar.

“Çka nëse nuk arrin marrëveshje me fajin e vet, e fiton një izolim të plotë ndërkombëtar, moszhvillim, regres, papunësi edhe një gjendje që nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës. Prandaj asnjë lider i vendit nuk guxon të mbajë peng të drejtën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirën e qytetarëve të Kosovës që të lëvizin më shpejt drejt së ardhmes evropiane. E di që ka tillë që mund të thonë se po mirë jemi kështu, natyrisht se mirë janë kryeministrat, presidenti, ministrat,  edhe deputetët mund të jenë mirë por qytetarët e vendit nuk janë mirë dhe nuk mund të vazhdohet me këtë status quo”, ka deklaruar presidenti.

Sipas tij, kjo status quo është regres për vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat