Kurti: Mustafa gabimisht mendonte se duke qeverisur me PDK-në mund ta heqë atë nga kapja e shtetit

Aktuale

Kurti: Mustafa gabimisht mendonte se duke qeverisur me PDK-në mund ta heqë atë nga kapja e shtetit

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 21:35
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është kursyer në komente për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ish-kryeministrin për të cilin kishte pasur kritika të forta derisa mbante këtë pozitë.

“Z. Mustafa ka një gjendje stabile shëndetësore, i uroj shërim. Po të ishte në një gjendje më të mirë shëndetësore ndoshta LDK-ja do të mund të ishte edhe më aktive. Por z. Mustafa po merret më shumë me partinë, e me aspketet institucionale po merret më shumë z. Avdullah Hoti”, ka thënë Kurti, në Rubikon.

Sipas Kurtit, Mustafa, sa ka qenë në koalicion me PDK-në ka besuar se shtetin e kapur të Kosovës do të mund ta rregullojë nga pozita e kryeministrit.

“Mirëpo e kuptoi se nuk mund ta bëjë këtë kur ka prekur në drejtorët e ATK-së dhe Doganës. Nuk është e mundshme që bashkë me PDK-në të hiqet nga kapja e shtetit nga PDK-ja”, ka thënë Kurti.

Tash, sipas Kurtit, Isa Mustafa është opozitar i mirë.

“Kam respekt për të si kryetar i një subjekti politik”, ka thënë Kurti.

Kurti për PSD-në: Mënyre e re qysh na lufton regjimi i vjetër

Sipas Kurtit, gjykimi në politikë bëhet në bazë të pozitave që mbajnë. Por kur është pyetur nëse nesër, nëse Thaçi nuk është në pushtet do të mendojë njësoj, Kurti ka thënë se Thaçi dallon nga Mustfa, në një rrafsh.

“Për Thaçin është në një rrafsh ndryshe. Kur Thaçi t’i ndalë pazaret me Serbinë, kur t’ia kthen buxhetit të shtetit paratë e vjedhura, kur të tregon se kush e futi në krimet e paqes se kriminel lufte nuk besoj se është... atëherë mund të kem mendim tjetër edhe për Thaçin”, ka thënë Kurti.

Ka folur edhe për daljet e deputetëve të cilët shkuan në PSD, ka thënë se kjo është “një mënyre e re qysh na lufton regjimi i vjetër”.

Kurti ka thënë tutje se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike i bashkon interesi për ta çuar vendin në zgjedhje.

Lideri i VV-së, Albin Kurti në një intervistë për Rubikon, i pyetur nëse kandidat për kryeministër mund të jetë edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kjo do të vendoset nga vota e qytetarëve dhe nuk mund ta dijë tash një gjë të tillë.

Kurti ka thënë se gjithmonë insistimi i tij ka qenë vetëm programi i partisë por jo edhe posti.

“Unë insistoj vetëm në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj që në zgjedhjet e ardhshme subjekti Vetëvendosje duhet të dal i pari, për këtë punoj ditë e natë por nuk mund të bëj kalkulime për partitë tjera, jam kryetar i një partie”, ka thënë Kurti duke mos u përgjigjur nëse lideri i LDK-së, Isa Mustafa mund të jetë kryeministër i Kosovës.

“Nuk mendoj që Lidhja Demokratike e ka kapur shtetin, mendoj që gabimisht ka menduar që mund t’i largojë kapësit e shtetit nga kapja e shtetit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat