Haradinaj: Nuk do të lejojmë që kriminelët të marrin ligjin në dorë

Aktuale

Haradinaj: Nuk do të lejojmë që kriminelët të marrin ligjin në dorë

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 11:00
Haradinaj në vizitën që sot i ka bërë Policisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas vrasjes në detyrë të policit Izet Demaj ditën e djeshme, ka deklaruar se nuk do të lejojnë që kriminelet të marrin ligjin në dorë.

Haradinaj ka njoftuar se nesër në Kosovë do të jetë ditë zie për vrasjen në detyrë të policit Izet Demaj. Me këtë rast ka thënë se edhe ligjet që u garantojnë policëve sigurime shëndetësore e jetësore do të procedohen në janar të vitit 2019.

Në vizitën që sot i ka bërë Policisë së Kosovës, Haradinaj ka thënë se rasti i djeshëm nuk është që ndodh për herë të parë, ku ai ka përmendur rastet e fundit ku gjatë ditës kanë ndodhur plaçkitjet.

Haradinaj: Mos me lejua që kriminelët me e bë ligjin në Kosovë

“Dje epilogu i një ngjarje të ngjashme si këto që i kemi pa më herët është një polic i vrarë në detyrë, pra një familjar dhe njëkohësisht edhe një sulmues, në këtë rast i involvuar në plaçkitje. Polici në mbrojtje ka shti, në mbrojtje të vetës, të rendit dhe e ka paguar me jetë, njëkohësisht edhe sulmuesi. Tani unë kam ardhur edhe për t’iu shprehur ngushëllime edhe drejtorit, e falënderoj për mënyrën se si e ka menaxhuar dje gjendjen, më tutje në tërësi. Po ashtu, edhe me iu dhënë përkrahjen Policisë. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër pos mos me lejua që kriminelët me e bë ligjin në Kosovë, është e pamundur me lejua që këto skena, e këto zhvillime me ndodh në Kosovë, Policia do ta marr përkrahjen në tërësi çka do që i nevojitet që mos me lejua që kriminelët me marrë ligjin në dorë, mos me ndodh më gjëra të tilla”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i Qeverisë është shprehur se ngjarja e  djeshme ka mundur të ketë epilog edhe më të keq, që të humbasin jetën edhe qytetarët që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të marrin të gjitha veprimet për përkrahjen ndaj Policisë e Kosovës në përgjithësi, duke shtuar se rënia e policit në detyrë do ta  jetë një  kthese për ligjin.

Ai është pyetur edhe për mungesën e sigurime shëndetësore për policët, ku ka thënë se ligjet janë në fazën finale dhe në ditët e para të janarit do t’i procedojnë.

Haradinaj: Në ditët e para të janarit do të fillojmë t’i procedojmë këto ligje një nga një

“Kanë punuar shumë, pra ligjet kanë avancuar janë gati në fazën finale. Mendoj që në ditët e para të janarit do të fillojmë t’i procedojmë këto ligje një nga një. E rëndësishme është që ka një kohë, drejtori është këtu, ministri është këtu, që e kemi ndryshuar qasjen ndaj Policisë, pra iu kemi dhënë përkrahjen e nevojshme. Besoj që kjo përkrahje edhe do të rritet dhe mora premtim prej ministrit, drejtorit që vërtet do të jenë në nivel të detyrës”, tha ai.

I pari i Qeverisë ka premtuar se do të jenë afër familjes së policit të vrarë Izet Demaj, në të gjitha kërkesat potenciale që mund t’i kenë.

Gjithashtu, ka thënë se së shpejti do të shtohet numri i policëve në disa njësi që është e nevojshme.

Haradinaj: E kemi filluar procesin për shtimin e efektivëve

“E kemi filluar procesin për shtimin e efektivëve, pra unë i përcjelli në planet për rritje të efektivëve të disa njësive që janë më rëndësi. Po shihet që jemi të ekspozuar, një pjesë e këtyre kriminelëve kanë karrierë të bujshme kriminale nëpër perëndim e nëpër vepra të tjera si rasti i djeshëm, kuptova që personi në fjalë pra ka pasur një karrierë të bujshme kriminale në vendet tjera, nuk është pra rasti i parë as i sulmit me armë e as i zhvillimeve si dje. Nuk kemi zgjidhje tjetër përpos po them edhe një herë me i garantua gjithkujt jetën, pronën dhe me garantua ligjin. Ne nuk do të lëshojmë pe në këtë drejtim”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ndjehet krenar që Policia ka arritur të shpëtojë qytetarët dhe të intervenojë në kohë. Por, ai u shpreh se ndjehen edhe të pikëlluar që një polic ka humbur jetën.

Me këtë rast ai ka deklaruar se ka ekzistuar mundësia që të ketë edhe më shumë viktima.

Qalaj: Policia ka arritur që t’i shpëtoj qytetarët

“Dje e kemi pasur një rast tragjik në Istog ku kemi pasur dy humbje të jetëve, ka humbur jetën një polic gjatë shkëmbimit të zjarrit me një person që ka tentuar që ta bëjë një grabitje, më vonë Policia e ka neutralizuar edhe atë. Kemi pasur një gjendje mjaftë të rëndë meqenëse kanë qenë në rrezik edhe qytetarët dhe punëtorët e bankës. Fatmirësisht kjo ka përfunduar me dy viktima e ka mundur të jetë shumë më keq. Unë jam shumë krenar që Policia ka arritur që t’i shpëtoj qytetarët, të intervenoj me kohë, në të njëjtën kohë jemi shumë të pikëlluar që njëri nga policët tanë është qëlluar dhe më vonë ka vdekur. Mirëpo, besoj që e ka kryer punën me heroizëm dhe ka bërë një punë shumë madhështore në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Polici Izet Demaj dje u vra gjatë kohës kur ishte në detyrë nga një person që kishte tentuar të grabiste një bankë në Istog. Varrimi i policit do të bëhet nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat