Hoti: Shtyrja e miratimit të buxhetit peng i pazareve të PAN-it dhe PSD-së

Aktuale

Hoti: Shtyrja e miratimit të buxhetit peng i pazareve të PAN-it dhe PSD-së

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 14:49
Avudall Hoti

Për shtyrjen e miratimit të buxhetit 2019 nga Qeveria, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avudall Hoti, shtyrja e miratimit të buxhetit për javën e tretë të janarit është e kundërligjshme.

“Nuk mundet Kryeministri të deklarohet për këtë çështje. Në momentin e dorëzimit të çdo projektligji në Kuvend, është përgjegjësi e Kuvendit të procedojë në përputhje me Rregulloren e Punës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka shtuar se ‘kjo shtyrje tregon se pazaret në mes të PAN dhe PSD-së nuk janë mbyllur’.

Ai konsideron ndër të tjerash se kjo shtyrje e thellon krizën institucionale në të cilën gjenden vendi.

“Është hera e parë që buxheti nuk aprovohet brenda afatit ligjor 31 dhjetor. Kjo është mungesa e legjitimitetit, që e kemi theksuar nga prill i këtij viti, ku Qeveria nuk i ka votat minimale në Kuvend për të funksionuar. Mungesa e legjitimitetit ka bërë që të gjitha seancat e sesionin vjeshtor 2018 të Kuvendit të Kosovës, gjithsej 11 seanca, të mbesin të hapura. Ky është qyqarllëk i koalicionit PAN. Këta nuk kanë zotësi të qeverisin me vendin në mënyrë demokratike. E në anën tjetër, nuk kanë guxim të ballafaqohen me qytetarët dhe të japin përgjegjësi. Këta qyqarë po e mbajnë vendin peng, duke bërë pazare me PSD-në me buxhetin e shtetit vetëm për të qëndruar në pushtet”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat