Gjykata vendos për dy të dyshuarit që i ofruan ndihmë hajnit që vrau policin në Istog

Aktuale

Gjykata vendos për dy të dyshuarit që i ofruan ndihmë hajnit që vrau policin në Istog

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 15:10
Pamje nga incidenti në Istog

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Y.M dhe U.M.

“Me datë 27.12.2018, rreth orës 15:30, pas marrëveshjes paraprake mes tyre për grabitjen e bankës NLB – Dega në Istog dhe tani të ndjerit K. M, kanë ndihmuar personin në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajnë, në atë mënyrë që, i pandehuri U me veturën e tani të ndjerit K, e tipit Golf 4, ngjyrë e kaltër e sjellë nga fshati Shushicë e Ulët, Komuna Istog dhe pasi që zbresin nga vetura afër stadiumit të qytetit, i ndjeri K i pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe granatë dore, drejtohet për në bankën në fjalë, i pandehuri Y hyn në një lokal përballë për ta vëzhguar situatën dhe pas ballafaqimit me polici të tani të ndjerit K, që të dy të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes për në fshatin Shushicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

Gjykata thotë se me këto veprime, Y.M dhe U.M si bashkëkryes kishin për të kryer veprën penale "ndihmë në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare".

Të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndryshe, Demaj u vra dje pasdite nga një person i armatosur derisa po tentonte të kryente një grabitje të armatosur në bankë në Istog. Lidhur me këtë rast, mbrëmë janë arrestuar dy persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat