Hashim Thaçi përjashton mediet nga salla e gjyqit

Aktuale

Hashim Thaçi përjashton mediet nga salla e gjyqit

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 16:03
Seanca gjyqësore

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka vendosur që vazhdimi i dëshmisë së Presidentit Hashim Thaçi për rastin e njohur si “Syri i Popullit” të jetë i mbyllur për mediat dhe publikun. Kjo pasi vetë Thaçi ka kërkuar të ndodhë një gjë e tillë. 

Arsyetimi i Thaçit, gjatë parashtrimit të kërkesës ka qenë se ai gjatë dëshmisë së tij mund të zbulojë sekrete shtetërore. 

Vendimi është marrë pasi trupi gjykues u konsultua gjatë një pauze të shkurtër, disa minuta pasi i pari i vendit nisi dëshminë  e tij në gjyq. 

Presidenti Hashim Thaçi, sa ishte seanca e hapur, deklaroi para trupit gjykues se ishte informuar se kreu i VV-së Albin Kurti dhe dy anëtarët tjerë të kryesisë së kësaj partie Glauk Konjufca e Sadri Ramabaja po përgatisnin një atentat ndaj tij.

Këtë informatë, Thaçi e tha se ia dhanë autoritetet vendore të sigurisë, pak ditë para se të ndodhte atentati në të cilin mbeti i plagosur avokati Azem Vllasi. 

“Prapa atentatit jam informuar se qëndrojnë Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca. Prapa kësaj organizate kriminale”, i tha Presidenti trupit gjykues gjatë dëshmisë së tij në rastin e grupit të dyshuar terrorist i njohur si “Syri i Popullit”. 

“Autoritetet shtetërore të sigurisë më kanë njoftu ditë ose javë më parë për kanosje ndaj meje, para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi”, tha Thaçi në gjyq, si dëshmitar.

“Pasi seanca është e hapur për publikun, nuk mundem t’i tregoj sekretet shtetërore. Sikur të ishte seanca e mbyllur do t'i përmendja edhe disa emra të tjerë që qëndrojnë prapa kësaj organizate, përpos atyre që i përmenda”, tha dëshmitari Hashim Thaçi në gjyq.

Para se të mbyllej krejtësisht seanca, trupi gjykues me të ardhur në sallë Hashim Thaçi vendosi që mediat të mos mund të incizonin me audio apo video dëshminë e tij, edhe pse prania e gazetarëve në sallë u lejua. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat