“Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet brenda vitit të ardhshëm”

Aktuale

“Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet brenda vitit të ardhshëm”

Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 13:39
Thaçi, Mogherini dhe Vuçiq

Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet brenda vitit të ardhshëm. Nëse, marrëveshja nuk arrihet, çështja do të mbetet një konflikt i ngrirë, me pasoja për vendin. Të paktën kështu mendojnë dhe e shohin situatën, njohës të rrethanave politike, ndërsa bëjnë thirrje për angazhim të opozitës dhe transparencë në proces.

Kosova dhe Serbia në dialogun që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, duhet të arrijnë një marrëveshje gjatë vitit të ardhshëm. Në të kundërtën, mund të mbetet konflikt i ngrirë. Kështu e sheh këtë çështje politologu Ramush Tahiri.

“Gjatë vitit të ardhshëm, pra me 2019  të arrihet një marrëveshje ,sepse, ose arrihet një marrëveshje, ose mbetet konflikt i ngirë. Dhe, si konflikt i ngirë nuk është në dobi as të popullit serb, as të popullit shqiptar dhe as të shtetit të Kosovës dhe as të shtetit të Serbisë. Të gjitha pritjet janë që kjo marrëveshje të arrihet” , tha ai.

Secila marrëveshje duhet ta ketë të përfshirë çështjen e kufirit,thotë më tej Tahiri. Në këtë pikë, ai thotë se mund të ketë disa kritere. Mund të vendoset që kufiri të jetë i hapur dhe të jetë menaxhimi i integruar i kufijve, mund të vendoset që sërish kufiri të jetë i hapur por që kufiri administrativ të bartë kufij shtetëror  dhe si mundësi të tretë, politologu Tahiri përmend korrigjimin e kufirit apo ridefinim në bazë të kritereve që përcaktojnë shtetet ose popujt.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se “bisedimet” do të prekin Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk e dimë qartazi se cilat mund të jenë kompromiset, por ajo cfarë po shihet është se të paktën në këtë proces do të ketë diskutime rreth statusit të komunitetit serb në Kosovë, që kompromiset do të shkojnë përtej pakos së Ahtisarit ,që do prekin Kushtetutën e Kosovës dhe që mund të prekin integritetin territorial të Kosovës”, tha ajo.

Sidoqoftë “marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi” i kapërcen elitat politike dhe është për tu vlerësuar fakti se ka gatishmëri nga udhëheqjet e të dyja vendeve që të bisedojnë thotë politologu Ramush Tahiri. Momentalisht qëndrimet mund të jenë të kundërta,mund të ketë edhe keqinformime e paragjykime meqë ende palët nuk janë ulur të bisedojnë politikisht dhe konkretisht për këtë, thotë Tahiri.

“Unë e abstrahoj mos-pajtimet politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë por gjithashtu edhe në Serbi sepse krejt shtetet duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të arrijnë një marrëveshje aq më parë që kemi angazhimin e Gjermanisë dhe angazhimin e SHBA-ve” , tha ai, raporton rtk.

Kosova po ka pasoja nga kjo gjendje, thotë Tahiri sepse nuk po mund të integrohet në mekanizmat ndërkombatar meqë po pengohet nga Serbia, kurse kjo e fundit për politikën e keqe që po bënë ndaj Kosovës, nuk po ka pasoja ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat