Isa Mustafa shpërthen në akuza të rënda ndaj Qeverisë Haradinaj, i përmend drogën, prostitucionin dhe fajdet

Aktuale

Isa Mustafa shpërthen në akuza të rënda ndaj Qeverisë Haradinaj, i përmend drogën, prostitucionin dhe fajdet

Nga: N.H Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 17:02
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore, por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria Haradinaj me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale.

Në fund, ai ka thënë se në vitin që po vjen duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme.

“Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie. Por, ne do të ngadhënjejmë”, ka shkruar Mustafa.

Ja postimi i plotë i kryetarit të LDK-së:

Qytetarë të nderuar

Ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.

Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit. 

Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza! 

Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie. 
Por, ne do të ngadhënjejmë! IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat