Këto janë deklaratat më epike të Thaçit për liberalizimin e vizave

Aktuale

Këto janë deklaratat më epike të Thaçit për liberalizimin e vizave

Më: 1 janar 2019 Në ora: 17:13
Hashim Thaçi

Pozitat i ndërroi, por jo edhe premtimet për liberalizimin e vizave. Për vite me radhë, Hashim Thaçi, ka dhënë deklarata të ndryshme për heqjen e vizave

Fillimisht nga posti i tij si kryeministër i Kosovës, e duke vazhduar kështu zakonin për tetë vite me radhë. Në dy mandatet sa ishte kryeministër i Kosovës (2007-2014), ai u zotua që liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejtë. Madje, ai që në fillim të mandatit të tij si shef i ekzekutivit, kishte thënë që vizat do të hiqen për 15 muaj.

Gazeta Blic, ka bërë një përmbledhje të deklaratave të Hashim Thaçit ndër vite, nga posti i tij si kryeministër e deri në postin të cilin e mbanë edhe tani si president i vendit.

Deklarata e vitit 2010, për liberalizimin e vizave: “Unë jam i zotuar që t’i implementoj të gjitha kriteret demokratike, bile edhe për më pak se 15 muaj, që Kosova t’i kryejë obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj. Unë vazhdoj të kem linja direkte me autoritetet vendimmarrëse në Bruksel”, kishte deklaruar Thaçi tetë vite më parë.
Premtimet për heqjen e vizave, nuk mbaruan asnjëherë. Thaçi gjashtë vjet më parë, tha që viti 2012 do të jetë viti i liberalizimit të vizave.

“Pas publikimi të Raportit të Progresit, Qeveria ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit të Partneritetit Evropian për vitin 2012. Ne synojmë që plani i Veprimit të Partneritetit Evropian të miratohet në Qeveri deri në fund të vitit 2011. Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”, kishte thënë kryeministër i atëhershëm Hashim Thaçi.Nga premtimet, ai nuk hoqi dorë as në vitin 2013. 

Thaçi po në atë vit bëri një deklaratë ku tha që javët e muajt do të jenë përcaktuese për liberalizimin e vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumica e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e mbetur që të vonohemi në këtë proces, të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”.Pas premtimeve që i bëri nga pozita si shef i ekzekutivit, Thaçi kaloi në një pozitë tjetër. Ai u bë Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015).

Gjithashtu, ai vazhdoi t’iu dhuroi shpresa qytetarëve për liberalizim.“Ka një vonesë dhe atë jo për shkak se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret e parashtruara nga Komisioni Evropian. Qytetarët e kuptojnë që BE-ja është e shqetësuar me valën e refugjatëve nga gati e tërë bota që kanë vërshuar Evropën dhe janë të rezervuar edhe ndaj Kosovës dhe heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, në anën tjetër, është dashur të përmbushë shumë më shumë kritere se sa shtetet e rajonit për të siguruar liberalizimin e vizave.

Të gjitha kriteret Kosova i ka përmbushur, prandaj qytetarët e Kosovës tani me të drejtë presin që gjatë këtij viti Komisioni Evropian të japë rekomandimin që të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Nga rreth 50 milionë qytetarë të Ballkanit që mund të lëvizin lirshëm në Evropë, vetëm 2 milionë kosovarëve po ju mohohet kjo e drejtë”.Fjalët shpresë dhënëse nuk ndaluan as pasi la postin si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, për tu bërë president (2016).Si shef i shtetit, Thaçi në vitin 2016, kishte thënë që Kosova i ka përmbushur kriteret e vendosura nga BE për liberalizimin vizave.

Këtë deklaratë e kishte bërë pas një takimit që kishte zhvilluar në atë kohë ( 21 qershor, 2016) me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Me që rast edhe kishin diskutuar për viza.

“Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret një vendim meritor nga Bashkimi Evropian për punën e bërë nga institucionet e vendit. Kosova mbetet e angazhuar në konsolidimin e mëtejmë të shtetit, ndërsa e falënderoi presidentin Schulz për angazhimin e tij, të raportueses së BE-së, Tanja Fajon, si dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Kurse në vitin 2017, presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se vetëm demarkacioni ishte peng që të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Komisionarët Hahn dhe Avramopoulos ritheksuan edhe sot se Brukseli po pret vetëm edhe ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Tani është në duart e deputetëve të Kuvendit që të vendosin se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në zonën Schengen”, kishte thënë Thaçi në vitin 2017.Pas gjithë kundërshtimeve që u bënë për demarkacion, votimi i marrëveshjes ndodhi në mars të vitit 2018, por liberalizimi i vizave nuk ndodhi.

Që vizat nuk do të hiqen as këtë vit, e konfirmoi Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn. I cili gjatë një vizite që bëri në Kosovë në fillim të muajt dhjetor, tha që koha reale për liberalizimin e vizave me BE-në është viti 2020.

“Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë të implementojmë dhe kjo ka nisur me raportin dhe është marrë Parlamenti, i cili ka vendosur me një shumicë. Tash çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se viti 2020 është më realisti, por mos u bëni peng i numrave”, ka thënë Hahn para mediave.

Po ashtu, Fajon, deputete Parlamentit Europian dhe raportuese për vizat në këtë institucion ka konfirmuar se Austria, si kryesuese e BE-së, nuk do ta fusë në rend të ditës votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e cilësuar situatën si “frustuese”.

Qytetarëve të Kosovës u mbetet të presin para ambasadave të huaja, deri sa të ndodhë të liberalizimi i vizave, dhe të mund ta gëzojnë lirinë e lëvizjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat