Pse ndërkombëtarët këshillojnë të mos ketë premtime për viza?

Aktuale

Pse ndërkombëtarët këshillojnë të mos ketë premtime për viza?

Më: 3 janar 2019 Në ora: 23:43
Foto ilustrim

Thirrjet e vazhdueshme nga ndërkombëtarët karshi politikanëve kosovarë që të mos premtojnë data për liberalizimin e vizave, po shihet si veprim i menqur për të ‘shpëtuar fytyrën e liderëve vendorë’ dhe që të mos luhet me shpresën e qytetarëve.

Liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të jetë krye temë në vend edhe gjatë vitit 2019.

Edhe pse udhëheqësit qeveritarë  premtuan se vizat do të hiqen brenda 2018-ës, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Megjithatë, të njëjtit në fillim të vitit të ri, morën edhe një këshillë ndërkombëtare që të kursehen nga premtimet për këtë proces, pasi ende nuk ka datë të saktë se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Schengen.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland gjatë vizitës së tij në Prishtinë të mërkurën, në një konferencë për media, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj ka kërkuar nga politikanët kosovarë që të mos premtojnë data për heqjen e vizave.

“Unë do t’ju mbështes që të mos ketë kushte të tjera, përveç atyre që i keni pasur. Fatkeqësisht nuk mund t’ju premtoj se kur mund të bëhet liberalizimi i vizave, sepse ka disa qeveri që nuk janë të bindura ende”, tha zëvendëspresidenti i PE-së.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj kërkoi nga Wieland që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.

“Biseduam edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, për mua është shumë e rëndësishme mbështetja e Gjermanisë dhe kërkova ndihmën e tij për të treguar të vërtetën për Kosovën”, ishte deklaruar kreu i Qeverisë.

Në anën tjetër, deklarata e Wieland po cilësohet si këshillë e mençur dhe dashamirëse nga njohësit e çështjeve politike në vend.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se deklaratat e zëvendëspresidentit të PE-së, Rainer Wieland janë tejet dashamirëse, miqësore dhe me qëllime pozitive, sepse sipas tij, synojnë ndaljen e vetëturpërimit të liderëve kosovarë për shkak të vazhdimësisë së premtimeve të pabazuara për liberalizim të vizave.

“Ka vite që përfaqësuesit shtetërorë kosovarë, lider pas lideri, nuk ngurrojnë të bëhen personazhe qesharake dhe të padinjitetshme duke u premtuar qytetarëve diçka që është absolutisht jashtë kompetencave të tyre vendimmarrëse”, thotë ai.

Sipas Muhaxhirit, zëvendëspresidenti Wieland është i përfshirë në diskutimet e niveleve të larta europiane.

“Prandaj sugjerimi i tij që mos përmenden data duhet të merret seriozisht – për dallim nga fodullëku i paskrupullt i politikanëve tanë”, vlerëson ai.

Ndërkaq, sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, profesorit universitar Rrahman Paçarizi deklarata e zëvendëspresidentit të PE-së, Wieland është një këshillë e mençur.

“Është këshillë e mençur kjo e zëvendëspresidentit Wieland, pasi në një masë të konsiderueshme liberalizimi i vizave tashmë nuk është në dorën tonë. Sidoqoftë, zyrtarët shtetëror të Kosovës kanë nevojë t’i mbajnë me shpresa qytetarët, që janë votuesit e tyre potencialë”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Sipas Paçarizit, më shumë se në fjalë e premtime, qeveritarët duhet të lobojnë jashtë e të punojnë brenda për t’i bindur shtetet skeptike se qytetarët e Kosovës kanë nevojë dhe meritojnë të udhëtojnë pa viza.

A mund të hiqen vizat në 2019-ën?

Analistët politik në vend vlerësojnë se ekziston mundësia që regjimi i vizave për kosovarët të hiqet këtë vit.

Rrahman Paçarizi për Gazetën JnK, thotë se është optimist që liberalizimi do të përfundojë këtë vit, jo si rezultat i punës a lobimit, por si pjesë e agjendës së dialogut.

“Liberalizimi dhe joshjet me procese te tjera të integrimeve europiane mendoj se do të jenë veprime që do ta përcjellim procesin e dialogut, ndërkohë që pengesa kryesore janë cikli zgjedhor ne BE dhe kryesimi rumun që mund të shkaktojë zvarritje domethënëse”, shtoi ai.

Edhe Artan Muhaxhiri vlerëson se ekziston mundësia që liberalizimi i vizave të ndodhë në vitin 2019.

“Përmbushja e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave nga ana e Kosovës ka bërë që prej tash ky proces të kushtëzohet prej konstalacioneve politike dhe kalkulimeve të brendshme në BE. Ato shpeshherë i dëmtojnë interesat tona për shkak të projekteve që na tangjentojnë në mënyrë indirekte”, thekson ai.

Sipas Muhaxhirit, vonesa e liberalizimit natyrshëm vlerësohet si padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Posaçërisht në raport me vendet tjera të rajonit, mirëpo i këtillë është realiteti i pështjelluar politik në të cilin gjendemi. Gjithsesi, ekziston një mundësi që liberalizimi i vizave të ndodhë në vitin 2019 – nëse do të jetë pjesë e shumësisë së kompromiseve të shumanshme në etapën përmbyllëse të dialogut në Bruksel. Kësisoj, do të mund të tejkaloheshin pengesat prej vendeve të veçanta në raport me një kauzë shumë më të rëndësishme globale”, përfundoi ai.

Premtimet e shumta të politikanëve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, nuk nisin dhe as nuk përfundojnë me vitin 2018, pasi që të njëjtit këto premtime i kanë dhënë që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat