Mbahet fjala për hapjen e kufirit Kosovë – Shqipëri - Bota Sot
Mbahet fjala për hapjen e kufirit Kosovë – Shqipëri

Aktuale

Mbahet fjala për hapjen e kufirit Kosovë – Shqipëri

Më: 4 janar 2019 Në ora: 09:13
Ramush Haradinaj, Pandeli Majko, Janar 2019

Me 29 dhjetor është nënshkruar marrëveshja për ngritjen e një pike të përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Qëllimi i marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave.

“Ajo që dikur ishte pikë kufitare e Kosovës, nuk ekziston më, është hequr në tërësi. Kemi edhe pjesën tjetër të zhvillimit të marrëveshjes të nevojshme, protokolleve të nevojshme, që të mos ndalen makinat pra këtu por të ndalën një në disa vetëm për shkak të çështjeve të caktuara të rutinës”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se e sheh një përkrahje të jashtëzakonshme të ministrit të Shqipërisë dhe atij Kosovës, por edhe Qeverisë, që  ndoshta në një afat rekord më të mos ketë ndalesa të veturave.

“Pra nuk do të jenë dy kontrolla, por do të jetë vetëm një dhe shpresoj që deri më dy prill ky kufi të të jetë pika që na bashkon”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko kishin  deklaruar se hapja e kufirit Kosovë – Shqipëri do të bëhet natën e Vitit të Ri.

Kryeministri Haradinaj kishte thënë se me ndërrimin e viteve nuk do të ekzistojë më barriera fizike në kufirin Kosovë – Shqipëri.

“E kemi biseduar me kryeministrin Edi Rama dhe me kolegë të tjerë, që diku në ndërrim të moteve të hapet kufiri. Shpresoj po. Përfundimisht. Do të ketë kamera, do të ketë një monitorim, por nuk do të ketë barrikadë fizike, jo prezencë fizike të kontrollit”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut më 19 shtator.

Edhe ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko kishte thënë në Skenderaj më 1 gusht, në ‘Ditën e Diasporës’ se kufiri Shqipëri – Kosovë do të hapet më 1 janar të vitit 2019.

“Duhet me hapë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri më tha që e kanë marrë vendimin. Në datën 1 janar fillon lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës”, ka deklaruar Majko para qytetarëve në Skenderaj.

Në muajin tetor, Krypometri kishte vendosur deklaratat e liderëve që kishin premtuar hapjen e kufirit Kosovë – Shqipëri nën hetime, deri në datën e premtuar nga ata.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...