Avokatët e Kosovës ultimatum Këshillit Gjyqësor, kërcënojnë me bojkot

Aktuale

Avokatët e Kosovës ultimatum Këshillit Gjyqësor, kërcënojnë me bojkot

Më: 5 janar 2019 Në ora: 15:24
Avokatët e Kosovës

Rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për ndalim të gjithë avokatëve të hyjnë në objekte gjyqësore pa ftesa, ka bërë që Oda e Avokatëve të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka kërkuar që kjo urdhëresë të tërhiqet menjëherë, sepse përndryshe do të hyjnë në bojkot të përgjithshëm.

Pas kësaj mbledhje, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Shaip Havolli tha se ky vendim është i pa pranueshëm dhe shkelje e parimit të qasjes në drejtësi.

Havolli, kërkoi se nëse deri më datën nëntë janar nëse nuk tërhiqet ky vendim, avokatët nuk do të hyjnë në asnjë institucion gjyqësor përfshi rastet penale, civile dhe administrative.

Havolli: Nëse nuk bëhet tërheqja e vendimit, avokatët do të hyjnë në bojkot të përgjithshëm

“Avokatia është kategori kushtetuese e rregulluar me ligj me të cilën avokatëve ju garantohet qasje në gjitha institucionet, respektivisht në drejtësi. Urdhëresa e Gjykatës themelore në Prizren e datës 08.08.2018 të cilën e ka aprovuar KGJK me rekomandim që e njëjta të zbatohet dhe në gjykatat tjera është shkelje e parimit të qasjes në drejtësi dhe si e tillë është e papranueshme. Kërkohet që urdhëresa dhe rekomandimi të tërhiqen menjëherë dhe më së voni deri më datën 08.01.2019.  Nëse nuk bëhet tërheqja e tyre, OAK, respektivisht avokatët do të hyjnë në bojkot të përgjithshëm më datë 09.01.2019, që nënkupton se avokatët nuk do të hyjnë në asnjë institucion, e kjo në të gjitha rastet, penale, civile dhe administrative”, tha ai.

Havolli, ndër të tjera tha se rasti i ndodhur në qytetin e Prizrenit ka qenë i izoluar, ku ka pasur shkelje të avokatit, mirëpo pavarësisht kësaj, vendimi nuk është dashur të merret për të gjitha gjykatat e Kosovës.

Havolli: Ka qenë një rast individual, nuk është dashur të gjeneralizohet

“Ka qenë një çështje, shkelje e avokatit që ka pasur të bëjë me disa çështje me qasjen në objektin e gjykatës. Mirëpo rasti i tillë ë që ka ndodhur nuk ka mundur të gjeneralizohet dhe kryetari i gjykatës të shtrij këtë kërkesë që e aprovoj Këshilli Gjyqësor i Kosovës të ketë zbatim në tërë territorin e Kosovës. Ky ka qenë një rast individual i cili në asnjë mënyrë nuk ka mundur të trajtohet tash në formatin që ne jemi bashkuar sot këtu”, u shpreh Havolli.

Tutje, ai bëri të ditur se në lidhje me këtë vendim janë njoftuar të gjithë institucionet relevante, përfshi Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial, zyrën e Kryeprokurorit dhe  Ministrinë e Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat