MPJ reagon rreth vizitës së pelegrinëve serbë

Aktuale

MPJ reagon rreth vizitës së pelegrinëve serbë

Më: 6 janar 2019 Në ora: 11:22
Protesta

Derisa në qytetin e Gjakovës po mbahet protestë, që siç janë shprehur protestuesit “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme i Kosovës,  Jetlir Zyberaj ka deklaruar se sot nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në asnjë qytet të Kosovës.

Sipas Zyberajt, një gjë e tillë nuk e ka kërkuar askush nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Shteti ynë çdoherë do t’ua garantojë të drejtën qytetarëve të zakonshëm sa herë që e kërkojnë një gjë të tillë. Ne i kuptojmë shqetësimet e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës, por i garantojmë ata që asnjë kriminel nuk do të jetë asnjëherë pjesë e pelegrinëve ngase vendi i tyre do të jetë burgu”, ka shkruar Zyberaj në facebook.

Ai ka shtuar se të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krimet më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore duhet të dalin para drejtësisë.

Qytetarët e Gjakovës, të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur janë duke protestuar sot në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për protestë nuk ka të bëjë me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës.

Pelegrinët serbë në mënyrë tradicionale vizitojnë kishën e Gjakovës për krishtlindjet ortodokse. Ndërsa, qytetarët e Gjakovës kanë protestuar edhe viteve tjera kur kanë ardhur pelegrinët serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat