Komandanti i FSK-së: Ne jemi Ushtria e Kosovës, vetëm emrin e kemi FSK

Aktuale

Komandanti i FSK-së: Ne jemi Ushtria e Kosovës, vetëm emrin e kemi FSK

Më: 7 janar 2019 Në ora: 12:35
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama

Ushtria e Kosovës do t’i ketë 5 mijë pjestarë aktivë dhe 3 mijë rezervë. Në FSK thonë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës 5.5 milionë euro, dhe për cdo vit të ketë rritje të buxhetit.

Forca e re pret edhe donacione nga aleatë, e disa veç i ka të konfirmuara për në gjysmën e parë të këtij viti.

FSK do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të veprojë varësisht urdhërave qe do t’i marrë.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama në një intervistë, thotë se kanë qenë të kujdesshëm në aspektin e buxhetit, marrë parasysh situatën ekonomike në vend.

Rama: Jemi të gatshëm që varësisht situatës të veprojmë

“Kur e kemi ndërtuar këtë planin afatgjatë 10 vjecar, kemi qenë shumë të kujdesshëm sidomos në aspektin financiar ose në aspektin e buxhetit, duke marrë parasysh gjithmonë nivelin ekonomik dhe ekonominë e vendit tonë dhe nuk është ndonjë interes që ne të jemi barrë e buxhetit. Kemi kërkuar nga qeveria 5.5 milionë për cdo vit të kemi rritje të buxhetit, dhe kemi marrë deklaratën financiare dhe nuk shoh ndonjë problem që ne në të ardhmen, bazuar në planet tona, në fakt të gjitha planet tona janë fleksibile, varësisht prej situatës ne do të veprojmë. Çka mund të them, jemi të sigurtë që bazuar në të gjitha parapërgaditjet që i kemi bërë edhe gjatë periudhës sa ligjet nuk janë votu, jam i sigurtë që jemi të gatshëm t’i implementojnë planet tona por dhe jemi të gatshëm që varësisht situatës të veprojmë dhe për atë e  thash që ligjet janëfleksibile”, thotë ai.

Në planin e FSK-së përfshihet edhe zhvillimi profesional i pjestarëve. Aktualisht pjestarët e Forcës shkollohen në gjashtë akademi prestigjioze në botë, në vendet anëtare të NATO-s.

Forca e Sigurisë së Kosovës po fillon fazën e transformimit në Ushtri të Kosovës, me ndryshime ligjore, dhe jo kushtetuese, e kjo i ka pamundësuar të ketë edhe emrin.

Gjeneral Rama thotë se pavarësisht emrit, FSK do të do të jetë Ushtria e Kosovës.

Rama: Ne jemi Ushtria e Kosovës, vetëm emrin e kemi FSK

“FSK ose Ushtria e Kosovës në të ardhmen, ne jemi Ushtria e Kosovës por vetëm emrin e kemi FSK, këtu duhet të jemi të qartë. Do t’i ketë 5 mijë aktivë, dhe 3 mijë rezervë... Unë zbatoj urdhëra dhe ne jemi nën kontrollin civil demokratik të Forcës dhe vendimet dhe urdhërat që vinë jemi të obliguar t’i zbatojmë”, thotë ai.

Komandanti i FSK-së tregon se në fillim të këtij viti fillojnë me rekrutimin e gjeneratave të reja që do t’i bashkangjiten Forcës.

Gjithashtu, në gjysmën e parë të vitit pritet arrijë një donacicon prej 12.5 milionë euro.

Vitin që shkoi, gjeneral Rama ka nënshkruar 71 largime të pjestarëve nga komuniteti serb, pas presioneve dhe shantazhit që u kishin ardhur atyre nga Beogradi.

Komandanti i FSK-së thotë se pjesa tjetër e serbëve janë duke vazhduar të shërbejnë aty normalisht.

Ai thotë se dyert e Forcës janë të hapura për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që dëshirojnë t’i shërbejnë organizatës së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat