LVV: Delegacioni shtetëror do t’i thellojë kompromiset ndaj Serbisë - Bota Sot
LVV: Delegacioni shtetëror do t’i thellojë kompromiset ndaj Serbisë

Aktuale

LVV: Delegacioni shtetëror do t’i thellojë kompromiset ndaj Serbisë

Më: 7 janar 2019 Në ora: 15:01
Liburn Aliu

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar delegacionin shtetëror për bisedime me Serbinë se po shkojnë në Bruksel që të merren vesh se si do të vazhdojnë të njëjtin proces negociator të filluar prej vitesh, pasi sipas kësaj partie, ky ekip po mbështetet në rezolutën që është miratuar në Kuvend e në të cilin nuk figuron fjala reciprocitet.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, ka thënë se pa reciprocitet ekipi për bisedime vetëm sa do t’i thellojnë edhe më tepër kompromiset ndaj Serbisë. Ai tha se këtë e dëshmon procesi i deritanishëm që nuk solli asgjë tjetër përveç dëme Kosovës.

Aliu ka folur edhe për mos përfshirjen e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në delegacionin shtetëror.

“Si është e mundur që në të ashtuquajturin delegacion shtetëror të Kosovës të kemi aq shumë përfaqësues partish që nuk e kalojnë as pragun zgjedhor, mirëpo aty nuk janë përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Pse në delegacion të mos jetë kryetari i Preshevës, kryetari i Bujanocit, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, deputetët shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe asamblistët shqiptarë në Medvegjë. Të gjithë këta pjesëtarë të këtij të ashtuquajturit delegacion shtetëror para se të bëheshin pjesë e këtij delegacioni pjesë e fjalimeve të tyre e kishin gjithmonë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes”, ka thënë ai.

Aliu ka folur edhe për letrën e dërguar nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përfaqësueses së lartë të BE-së, delegacionit shtetëror dhe presidentit Hashim Thaçi, me kërkesë për përfshirjen e çështjes së tyre në dialogun Kosovë-Serbi. Ku ai ka thënë se në atë letër mungon esencialja, reciprociteti.

“Disa herë nga Thaçi kemi kërkuar të bëjë publike parimet dhe mënyrën si do ta bëjë ai korrigjimin e kufijve, të bëjë madje edhe marrëveshjen me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit. Si është e mundur që ai të deklaroi se pajtohet me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit për bashkëngjitjen e Kosovës lindore me Kosovën dhe nuk bëri marrëveshje me ta. Dy palë kur merren vesh bëjnë marrëveshje me shkrim. Thaçi në konferencat për media në Prishtinë përmend Kosovën lindore, por jo me diplomatët perëndimor, me ata flet për heqjen e taksës 100 për qind të taksës ndaj Serbisë sikurse e bëri në takimin me ambasadorin amerikan në Berlin”, ka deklaruar ai.

Deputeti Aliu ka thënë se presidenti Thaçi me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq flet për veriun e Kosovës e për Rusinë, por sipas tij asnjëherë nuk ia kërkon atij Kosovën lindore që mbahet e shtypur, e diskriminuar dhe e shfrytëzuar pikërisht nga Serbia.

“Edhe në draft-marrëveshjen finale të kryeministrit Haradinaj askund nuk përmendet çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit dhe as reciprociteti me Serbinë. Kjo draft-marrëveshje iu dorëzua Mogherini dhe me këtë iu bë e qartë edhe gatishmëria për kompromis të mëtejmë ndaj Serbisë dhe mos interesimi për shqiptarët e Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit. Pavarësisht se e luajnë të përçarin, pavarësisht se mund të mos e dinë se kush për çka negocion, e përbashkëta e të gjithë këtyre negociatorëve është se këta e duan pushtetin më shumë se Kosovën. Këta nuk e qajnë kokën për shtypjen e qytetarëve shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, dhe na e bëjnë të qartë se janë të gatshëm të bëjnë pazare në dëm të tyre dhe në dëm të Kosovës”, tha Aliu.

Ai ndërkohë ka bërë të qartë qëndrimin e LVV se nuk presin asgjë nga delegacioni shtetëror për bisedime, me përjashtim të gatishmërisë për kompromise të tjera. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...