Xhamia në Londër anulon ekspozitën për shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë gjatë Holokaustit: Ja thirrjet për bojkot

Aktuale

Xhamia në Londër anulon ekspozitën për shqiptarët që ndihmuan hebrenjtë gjatë Holokaustit: Ja thirrjet për bojkot

Më: 8 janar 2019 Në ora: 14:50

Pas protestave nga muslimanët, një xhami në Londër anuloi planet për të organizuar një ekspozitë mbi shqiptarët muslimanë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Qendra për Kuptimin Islamik në Golders Green, e cila nuk tha pse e anuloi ngjarjen, të dielën do të mbante një ekspozitë për shqiptarët muslimanë që shpëtuan hebrenjtë.

Qendra e braktisi planin pasi disa muslimanë protestuan lidhjen e ngjarjes së planifikuar me Yad Vashem, muzeun e Holokaustit në Izrael, njoftoi të premten Jewish News.

Thirrjet për bojkot u drejtuan nga Roshan Salih, redaktor i faqes së lajmeve të myslimanëve britanikë, 5 Pillars.

“Përkujtimet kurrë nuk duhet të bëhen në lidhje me shtypësit izraelitë apo mbështetësit e tyre”, tha ai. Si përgjigje ndaj anulimit, ai shkroi se xhamia “duhet të lavdërohet që iu përgjigj shqetësimeve të komunitetit”.

Hebrenjtë që ndihmuan udhëheqësit e komunitetit në xhami për të ngritur ekspozitën kishin thënë para anulimit se ata e shihnin ngjarjen si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet hebreje-muslimane në Golders Green, që është një nga zonat me popullatën më të madhe hebraike në Mbretërinë e Bashkuar.

Është “jashtëzakonisht e rëndësishme të kujtojmë se komunitetet hebraike dhe muslimane historikisht gjithmonë kanë mbështetur njëri-tjetrin dhe gjithmonë do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”, tha për Jewish News Rabini Natan Levy, kreu i operacioneve në Forumet e Besimit për Londrën, i cili ndihmoi në organizimin e ngjarjes tashmë të anuluar.

“Duke shpenzuar më shumë kohë së bashku dhe duke kërkuar të kuptojmë ngjashmëritë tona dhe të vlerësojmë dallimet tona ne mund të sigurojmë një front të bashkuar kundër urrejtjes,” shtoi ai.

Foto: Një eskortë e armatosur e misionit ushtarak britanik në Shqipëri në një foto pa datë. Shumica e tyre kanë luftuar që nga zbarkimi i italianëve në vitin 1939. (shqipëroi K.V, gazeta “TemA”)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat