Qytetarët të shqetësuar nga grabitjet e armatosura

Aktuale

Qytetarët të shqetësuar nga grabitjet e armatosura

Më: 8 janar 2019 Në ora: 15:19
Fotografi ilustruese

Kohët e fundit janë shpeshtuar rastet e grabitjeve të armatosura në Kosovë, duke u bërë kështu një dukuri mjaft shqetësuese. Cak i grabitjeve kanë qenë shtëpitë private, lokale e dyqane të bizneseve, si dhe bankat.

Në fund të dhjetorit, një polic ishte vrarë në detyrë përderisa po përpiqej të kapte një të dyshuar për grabitje në një bankë në qytetin e Istogut, ku më pas, i vrarë mbeti edhe personi i dyshuar për plaçkitje. Ndërkaq, pak javë më herët, në periferi të Prishtinës, policia kishte konfirmuar se një person kishte mbetur i vrarë përderisa po përpiqej të plaçkiste një shtëpi private.

Vjollca Jusufi është njëra nga viktimat, biznesi i të cilës ishte plaçkitur. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se dëmi që i është shkaktuar nga grabitësit, të cilët ia kishin thyer lokalin, ka qenë rreth 6 mijë euro. Jusufi tregon se policia ende nuk i ka kapur grabitësit, ndonëse ngjarja ka ndodhur rreth një muaj më parë.

“Rreth orës 2:00 pas mesnate, katër plaçkitës e kanë thyer lokalin tonë. Kanë qenë me maska. Kanë vjedhur mall në vlerë afër 6 mijë euro. Plaçkitësit asnjëherë nuk janë kapur nga policia. Të gjithë ngjarjen më pas e kemi parë në kamerë. Në orën 6:00 të mëngjesit e kemi gjetur lokalin e thyer dhe kemi njoftuar policinë”, tha Jusufi.

Ndryshe, statistikat e Policisë së Kosovës flasin se për periudhën janar-nëntor të vitit 2018, aq sa kanë pasur të dhëna autoritetet e rendit, kanë qenë 263 raste të grabitjeve.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës, tha se vetëm në rajonin e Prishtinës - ku rastet e grabitjeve janë më të shpeshta - janë arrestuar 32 persona të dyshuar, të cilët janë në paraburgim, kurse 6 të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia, janë në arrati.

“Grabitja si vepër penale kryhet në rrethana të ndryshme, por rastet më serioze të grabitjeve janë ato me armë. Po ashtu, grabitësit kanë pasur caqe të ndryshme si biznese, banka, shtëpi banimi e edhe grabitjen e gjësendeve nga dora apo krahu”.

“Policia, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre akteve, ka realizuar dhe ka zbatuar plane operative dhe taktike. Po ashtu, të arrestuar dhe dërguar para organeve të drejtësisë ka edhe të dyshuar të tjerë në rajonet tjera edhe pse në rajonet tjera ka dukshëm më pak raste të tilla”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Shoqata e Bankave të Kosovës, ditë në parë përmes një komunikate për media, u kanë bërë thirrje institucioneve të sigurisë në Kosovë “që të ndërmarrin masa urgjente dhe të fuqishme kundër këtyre grupeve kriminale për të shpartalluar ato dhe për të siguruar mjedis të sigurt për bizneset e Kosovës”, duke i dhënë vëmendje të veçantë institucioneve financiare.

“Gjatë vitit 2018, sektori bankar në Kosovë është ballafaquar me një numër të paprecedentë të rasteve të sulmeve fizike, ku shumica prej tyre ishin grabitje të kryera nga grupe të rrezikshme kriminale, të armatosura me armë të gjata. Derisa dëmet materiale ishin të larta, Shoqata e Bankave të Kosovës shpreh shqetësimin më të madh për sigurinë e klientëve dhe stafit të bankave. Në disa nga këto sulme, punonjësit e bankave janë lënduar dhe është dashur të pranojnë trajtim mjekësor”, theksohet në deklaratën e Shoqatës së Bankave.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017, janë evidentuar gjithsej 290 raste të grabitjeve nga ana e plaçkitësve, ku grabitësit kanë pasur caqe të ndryshme si biznese, banka, shtëpi banimi e edhe grabitjen e gjësendeve nga dora apo krahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat