Sejdiu: Këtë vit do të kthejmë besimin e qytetarëve në shëndetësinë publike

Aktuale

Sejdiu: Këtë vit do të kthejmë besimin e qytetarëve në shëndetësinë publike

Më: 9 janar 2019 Në ora: 13:27
Basri Sejdiu

Viti që lamë pas për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka qenë i sfidave, por edhe i sukseseve pasi aty janë punësuar 350 punonjës shëndetësorë.

Drejtori i këtij institucioni, Basri Sejdiu, premton që 2019-ta do të jetë pa lista të pritjes dhe me shërbime më cilësore në mënyrë që pacientëve t’u kthehet besimi tek institucionet publike shëndetësore.

Në një intervistë, Sejdiu ka thënë se kur kishte ardhur në ShSKUK, shëndetësinë e kishte gjetur në gjendje të rëndë, gjë që e kishte shtyrë të kërkonte intervenim të shpejtë, për të identifikuar problemet me qëllim të përmirësimit të gjendjes.

Sejdiu thotë se fillimisht janë marrë masa urgjente që situata të përmirësohet në nivel sigurie.

Sejdiu: Fillimisht kemi marrë masa emergjete

"Ashtu si e kemi gjetur shëndetësinë, edhe gjendjen që ka qenë shumë e rënduar, mund të them edhe alarmante, sepse duke llogaritur që është një qendër ku trajtohen pacientët dhe shërbimet që janë ofruar do të thotë nuk ka qenë një gjendje e kënaqshme. Dhe, masat që i kemi ndërmarrë kanë qenë kryesisht masa emergjente. Do të thotë në plan të parë, duke e vendosë pacientin në rend të parë, atëherë janë zhvilluar aktivitete të cilat synim e kanë pasur përmirësimin e trajtimit të pacientëve tanë. Pajisjet ekzistuese nuk janë shfrytëzuar në mënyrë racionale dhe kemi intervenuar. Shembull po e marr spitalin e Vushtrrisë, kanë pasur CT, mirëpo nuk ka pasur staf që e bënë ekzaminimet me CT-në. Kemi reaguar, nga niveli i QKUK kemi dërguar staf dhe ka filluar të funksionalizohet edhe CT në Vushtrri", ka thënë ai.

Ai thotë se edhe Emergjenca ka qenë në gjendje të pakontrolluar, teksa shton se tash kanë bërë riorganizim.

Krahas sfidave, ai thotë se diçka e mirë është bërë, duke porositur tutje mjekët që të qëndrojnë në Kosovë.

Sejdiu: E ardhmja e afërt, pa lista të pritjes

"Viti 2018 ka qenë vit i punësimeve. Diku mbi 350 vetë janë punësuar, mbi 220 infermierë, mbi 80 mjekë. E ardhmja e afërt do të jetë pa lista të pritjes, shërbime më cilësore, dhe pacientëve tanë t'iu kthehet besimi. E para është që do të kursehet buxheti, xhepi i pacientit, duke llogaritur që në Kosovë njerëzit janë varfëruar pikërisht për shkak të shëndetit, sepse pagesa është bërë nga xhepi, kanë munguar sigurimet shëndetësore. E dyta është që përveç që kursehet xhepi i pacientit, njëkohësisht zvogëlohen maltretimet dhe kursehet buxheti i MSh, i cili ka qenë milionësh për trajtim jashtë institucioneve publike dhe, e katërta është që me rritjen e fluksit të pacientëve, rritet edhe performanca e mjekëve", u shpreh Sejdiu.

Eliminimi i pritjeve të gjata të pacientëve, i pari i ShSKUK-së thotë se do të përfshijë të gjitha klinikat e QKUK-së, poashtu edhe Onkologjinë. U shpreh i bindur se këtë vit nuk do të ketë pritje as në Kardiologji.

Sejdiu: Këtë vit nuk do të kemi listë të pritjes për koronografi

"Fillimi i vitit 2019, do të jetë pa listë të pritjes për koronografi, edhe pse është larguar lista e pritjes për stentime. Për kardiologji mund të them se lista e pritjes për bajpas dhe valvula ka qenë 2 vjet, ndërsa tani është 3-4 muaj. është salla e dytë. Ka pasur disa mungesa, është ekstra. Dhe, tani me dy salla do të hiqet lista e pritjes, besoj shumë shpejt", tha doktori.

Në vazhdën e punëve që do të bëhen, kreu i ShSKUK-së bëri të ditur se janë duke u ndërtuar 10 barnatore klinike dhe 40 barnatore të reparteve.

Sejdiu: Janë kursyer 6 milionë euro vetëm më një ndërprerje të kontratës

"Diku ka qenë rreth 68 përqind sa i përket listës esenciale. Materiali i shpenzuar rreth 60 përqind, ndërsa citostatik, mbulueshmëria e nevojave është diku 85 përqind. Furnizimi dihet që ka qenë njëri prej pikave që në fakt i kemi hetuar të gjithë, por arsyetimet i dini. Ministria e Shëndetësisë është marrë me prokurim të barnave esenciale dhe ajo që është bërë, është bërë prerja e kontratave të dëmshme që në teren janë reflektuar me disa mungesa. Mirëpo, globalisht me shiku janë kursyer buxheti, vetëm me një ndërprerje të kontratës janë kursyer 6 milionë euro. Dhe, mungesat të cilat kanë ndodhur në teren, me një gjindshmëri janë kompenzuar ato. Tani e tutje, në vitin 2019, këto do të barten në SHSKUK", u shpreh ai.

Për projektin e kirurgjisë pediatrike Sejdiu tha se do të përfundohet në mars të vitit 2020.

Sejdiu: Kirurgjia pediatrike do të ofrojë komoditet për trajtimin e fëmijëve

"Pritet që marsi i vitit 2020, të përfundohet kirurgjia pediatrike, objekt i cili do të na mundësojë, një komoditet më të mirë të trajtimit të fëmijëve, qoftë nga aspekti operativ, ku do të ketë hapësirë kirurgjia pedriatike, por do të inkorporojë edhe neonatologjinë edhe eklinikën e pediatrisë. Do të thotë do të jetë një objekt me investim diku rreth 22 milionë dollarë, i cili do të na relaksojë sa i përket kësaj", bëri të ditur ai.

Sa i përket të hyrave nga laurat, Sejdiu thotë se për 300 përqind është rritur inkasimi me digjitalizimin e tyre, poashtu kanë ndikuar pozitivisht edhe në kufizimin e hyrjeve të pakontrolluara të veturave.

Ai bëri të ditur se tashmë një parking i madh është në procedurë të prokurimit, dhe në këtë mënyrë sipas tij po eliminohen të gjitha pengesat e dikurshme.

Sejdiu tutje për KosovaPress ka folur edhe për suspendimet e disa mjekëve të cilët nuk ishin gjetur në orarin e punës.

Sejdiu: Suspendimet kanë ndodhur si rezultat i shkeljeve të rënda

"Nuk është kërkuar asgjë më shumë se respektimi i kontratave të punës. Vijueshmëria në punë monitorohet, atë e kemi përparësi tani. Kontrollat që kanë ndodhur dhe suspendimet, kanë ndodhur për shkak të shkeljeve të rënda. Dhe mendoj që kjo do të disiplinojë. Nuk ka qenë e orientuar as nga individi, as në mënyrë të caktuar", tha ai.

Sejdiu pati edhe një premtim për vitin që sapo kemi hyrë, fjala është për dyfishimin e punës në QKUK dhe ofrimin e kushteve sa më të mira për pacientët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat