Pacolli: Ekipi negociator vetëm do të thellojë mosmarrëveshjen me Serbinë

Aktuale

Pacolli: Ekipi negociator vetëm do të thellojë mosmarrëveshjen me Serbinë

Më: 9 janar 2019 Në ora: 18:24
Fitore Pacolli

Fitore Pacolli, deputetja e Vetëvendosjes, ka thënë se ekipi negociator për dialogun me Serbinë përbëhet nga njerëz që s’kanë legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën dhe se ky ekip vetëm do të thellojë mosmarrëveshjen me Serbinë.

Duke folur pas takimit të parë të ekipit të udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, Pacolli ka thënë në Express Intervistën në KTV se “nga Kosova 12 burra udhëtuan duke shpenzuar buxhetin e Kosovës vetëm për t’u njoftuar me Mogherinin”.

Sipas saj, nga ky takim s’doli asgjë konkrete. Ajo ka thënë se partitë që kanë përfaqësues të tyre në këtë ekip, nuk mund të kalojnë pragun.

“Për të marrë vendim për të ardhmen e Kosovës duhet të kesh legjitimitet. Asnjë person në atë ekip nga Kosova, nuk ka legjitimitet të jetë aty. Këto parti as pragun nuk e kalojnë. Ahmeti ka shkuar në një vizitë si pjesë e delegacionit, përfaqësoi Kosovën, me votat që ka marrë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje. S’ka kandiduar kurrë i vetëm për të marrë legjitimitetin. E kemi Fatmir Limajn. Sa për qind të votave ka marrë ai. Një përbërje të tillë s’duhet të përfaqësojë Kosovën. Sa herë që shkon në Bruksel do ta thellojë mosmarrëveshjen që kemi me Serbinë. Tash kemi njerëz që s’kanë as legjitimitet. Duhet të ndalen. Të mos shkojnë në Bruksel. Këta zëvendësojnë Edita Tahirin. Punën që e ka bërë ajo ne e kemi kundërshtuar, ndërsa këta janë tash zëvendësues të saj. Personi kryesor që merret me marrëveshjen është Thaçi, këta janë patericë”, ka thënë ajo.

Ajo ka vazhduar se ky ekip nuk tregon unitetin e shtetit.

Sipas saj, nëse është diskutuar se Kosova dëshiron që t’i bashkohet Lugina e Preshevës, duhet të ketë patjetër përfaqësues të Luginës në ekip.

“Nëse paraqitesh në një takim të tillë në arenën ndërkombëtare me 11,12 burra. Ajo tregon se s’ka unitet, sepse janë njerëz të partive të vogla që s’e kalojnë pragun. E kemi edhe kryetarin e qytetit. Në cilin qytet në Evropë është kryetari i komunës që merret edhe me punë të tjera. Ndonëse ka deklaruar se puna e tij kryesore është Prishtina, i bie që ekipi është dytësore. Të mos merret me punë dytësore me Kosovën. Është shumë e rëndësishme për ne. Është jetike. Presidenti gjatë verës, nëse dëshironte ta shtynte marrëveshjen që e quante të dhimbshme, e ku mendohet të ketë korrigjim kufijsh, u mendua ta mbulojë duke thënë që Lugina duhet t’i bashkëngjitet Kosovës, edhe pse e dimë të gjithë se është e pamundur. S’duhet të ndalemi kurrë së kërkuari, por Thaçi duke e pa se s’mundet i vetëm ta mbulojë angazhoi partitë tjera, e ashtuquajtur ekip shtetëror. Kush po e përfaqëson Luginën. Do të kishte logjikë që të ishte dikush i Preshevës, por është kryetar i kryeqytetit, kë e përfaqëson Prishtinën? Nëse flisni në emër të Preshevës, inkuadroni edhe ata. Bëni një marrëveshje me shqiptarët e Luginës. Marrëveshje me shkrim ku kërkon dhe do të bësh çmos që ato komuna t’i bashkohen Kosovës”, ka shtuar Pacolli.

Sipas Pacollit, aktualisht është Serbia ajo që duhet të ngutet për marrëveshjen që të hapë kapitujt për integrim në BE dhe jo Kosova. Ka thënë se ekipi negociator po bazohet në letrën e presidentit amerikan Donald Trump që Kosova të ketë ekip uniteti, por “ne nuk kemi unitet”.

“Situata nuk është që ne të ngutemi për marrëveshjen. Duhet disa hapa që të merren së pari. Sot bëhen gjashtë muaj që kur deputetëve na kanë dërguar të arriturat dhe sfidat e dialogut. Raportin e qeverisë s’e kemi diskutuar kurrë sepse kryeparlamentari e kryeministri nuk duan. Duhet të kemi zgjedhje, të dihet platforma. Cila është vija e kuqe e çka na duhet”, ka thënë ajo.

Duke akuzuar ish-bashkëpartiakun Shpend Ahmeti për keqpërdorim të mbi 500 mijë eurove në një tender për qumësht, Pacolli ka thënë se “ai u largua që të ketë lirinë për fryrje të shumave të tenderëve”.

“Shpendi mban përgjegjësi para qytetarëve që të përmbushë të gjitha premtimet e fushatës sepse ne kemi garantuar se do të përmbushen. Gjatë mandatit të parë kemi pas diskutime të brendshme e kritika të brendshme. Madje ka raportuar në parti për punët e Prishtinës. Ka pas përcjellës nga partia të punëve tona. Kur u largua nga partia dhe deklaron se nuk rri këtu se nuk ka demokraci brenda VV-së i bie që kjo liria që e ka kërkuar të jetë fryrja e shumave të tenderëve. Deri tash s’kemi has në diçka të tillë sepse do të reagonim brenda”, ka thënë në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat