Haradinaj: Nëse duam ta shohim veten se kush jemi, ne duhet t’i shohim bijtë tanë, heronjtë tanë e shembullin e tyre

Aktuale

Haradinaj: Nëse duam ta shohim veten se kush jemi, ne duhet t’i shohim bijtë tanë, heronjtë tanë e shembullin e tyre

Më: 9 janar 2019 Në ora: 18:34
Ramush Haradinaj

“Nëse duam ta shohim veten se kush jemi, ne duhet t’i shohim bijtë tanë, heronjtë tanë e shembullin e tyre. Duke shprehur respekt për bashkëluftëtarët e gjallë, për familjet dhe duke iu kërkuar falje edhe për mungesat potenciale të trajtimit që do t’iu bëjë vendi, populli e institucionet, unë ju them se do të rrugëtojmë rrugës së tyre”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  duke shprehur lavdi të përjetshme, në fjalën e tij gjatë Akademisë Përkujtimore, me rastin e  20 vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Nikë Hajdaraj, Zef Gjokaj dhe Çelë Ukaj, akademi kjo e  cila u organizua nën patronatin e kryeministrit.

Pasi përshëndeti familjet e dëshmorëve dhe të gjithë të pranishmit, kryeministri  Haradinaj tha se sot ishte në këtë akademi edhe si bashkëluftëtar i të tre dëshmorëve me të cilët ka pasur fatin të ndajë gjitha ato sfida të luftës që i kanë kaluar bashkë, por dhe në emër të institucioneve të vendit.

“Ne nuk kemi pasur rrugë tjetër për liri. Jemi shqiptarë e shqiptarët janë popull i respektuar që dinë të nderojnë dhe që dinë të ruajnë. Ne jemi për të ruajtur vendin tonë, popullin tonë por jemi edhe për t’i ruajtur komunitetet që jetojnë tek ne. Ne dimë ta respektojmë tjetrin qoftë edhe armikun, por ne e dimë se çka është miku”, tha kryeministri Haradinaj duke evokuar kujtime të së kaluarës dhe për mënyrën se si tre dëshmorët luftuan për liri deri në sakrificë, të cilët i quajti shqiptarë të vërtetë.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është me fat që ka miq siç janë NATO-ja e Amerika dhe se Kosova është e gëzuar që i takon rreshtit të këtyre popujve.

“Dhe ju siguroj se nuk mund të na largoj nga ky rresht kurrë askush, sepse jo se ne bëjmë gabime, por historia tregon se jemi mijëra vjet në këtë rrugë dhe ai që i ka bërë këto rrugë nuk mund të gabojë sot”, përfundoi fjalën kryeministri Haradinaj.

Kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Kosova është vendi ku jetohet dhe nderohet, dhe se këtë amanet e kanë lënë dëshmorët, ata të cilët luftuan deri në flijim.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, foli edhe Gjon Hajdaraj, i cili tha se këta djem nuk kanë vdekur, por kanë rilindur për të qenë gjallë gjithmonë në historinë e vendit tonë.

Të pranishëm në këtë Akademi ishin edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, përfaqësues të tjerë institucionalë, bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat