Vizat, studentët protestojnë: BE nuk ka të drejtë të izolojë shqiptarët e Kosovës

Aktuale

Vizat, studentët protestojnë: BE nuk ka të drejtë të izolojë shqiptarët e Kosovës

Më: 10 janar 2019 Në ora: 12:27
Pamje nga protesta

(E plotësuar) - Mos liberalizimi i vizave ka bërë që për dytën herë me radhë, studentët e Universitetit të Prishtinës bashkë me qytetarë të protestojnë në kërkim të largimit të vizave.

Me pankarta “A është izolimi vlerë e BE-së” dhe brohoritje “Mjaft na izoluat”, protestuesit u stacionuan  para Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, duke kërkuar që qytetarëve t’iu garantohet e drejta e lëvizjes së lirë.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Arben Elshani tha se studentët në Kosovë nuk e meritojnë izolimin dhe nuk duhet mohuar të drejtat e tyre.  

Elshani: Qëllimi jonë nuk është ikja jashtë vendit për të mos u kthyer kurrë

“Qëllimi jonë nuk është asimilimi, ose ikja jashtë vendit për të mos u kthyer më. Qëllimi jonë është të marrim përvoja të mira jetësore, të shkëmbejmë ide për të mirën të shoqërisë dhe të jetësojmë ato në vendin tonë. Mos na mohoni të drejtat tona, a është izolimi vlerë e Bashkimit Evropian, pse duhet të ndihemi të izoluar kur ne jemi shtet dhe i plotësojmë të gjitha kushtet që të jemi pjesë e familjes së BE-së. Jemi gjeneratë e re, jemi studentë dhe nuk e meritojmë izolimin, duam ta ndjejmë vetën të lirë dhe të kemi mundësi më shumë si të rinj”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Këshillit Studentor në Fakultetin e Filologjisë, Jehona Gashi tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të cilësohen si qytetarë të dorës së tretë. Ajo, po ashtu, pati dhe një kërkesë për BE-në, ku u shpreh se e kjo e fundit nuk ka të drejtë që të izolojë një popull të tërë.

Gashi: BE nuk ka të drejtë të na izolojë

“I drejtohem Bashkimi Evropian, ju nuk e keni të drejtën të na izoloni, sepse kjo nuk është e drejtë, andaj ne e meritojmë lirinë e lëvizjes”, tha Gashi.

Organizatori tjetër i protestës Bekim Ibishi tha se për këtë protestë iu është bërë thirrje të gjithëve, përfshirë deputetë dhe qeveritarë, mirëpo askush nuk i është përgjigjur ftesës së tyre.

Ibishi: Ju kemi bërë thirrje të gjithëve, askush nuk na është përgjigjur

“Ne, sa për sqarim, ju kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve, qeverisë, ju kemi bërë thirrje të gjithë atyre që thirren në emër të rinisë, ju kemi bërë të thirrje të gjithëve, por askush nuk na është përgjigjur. Andaj këtu shihet se sa përkrahen studentët, këtu shihet se sa përkrahet rinia”, tha Ibishi.

Pjesë e kësaj proteste ishte dhe deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri i cili pati dhe një kërkesë të veçantë për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ku i kërkoi që gjithë qytetarët e Kosovës t’i pajisë me viza.

Ndërsa, njoftoi se edhe pasaportën e Shqipërisë do ta dorëzojë të hënën, në mënyrë që të solidarizohet me izolimin e qytetarëve të Kosovës.

Tahiri: Pse ne mos të kemi pasaporta të Shqipërisë

“I bëj thirrje Ilir Metës nga Prishtina e tyre e dashur, e le të na dëgjojnë nga Tirana jonë e dashur që t’i pajisë shqiptarët e Kosovës me pasaporta të Shqipërisë. Ndërsa, Serbia po i pajis qytetarët e saj serbë në Kosovë, pse ne mos te kemi pasaporta të Shqipërisë, pa intervenim, pa dekrete pa asgjë. Nga ky vend unë deklarohem që të hënën do të dorëzoj në Tiranë ose në ambasadë”, tha Tahiri.

Kjo është protesta e dytë që studentët po kërkojnë përmes protestës liberalizimin e vizave, por kësaj radhe ata nuk protestuan para zyrave të BE-së, duke zgjedhur hapësirën në mes të ndërtesave të Qeverisë dhe Parlamentit, duke i cilësuar këto institucione si bashkëfajtorë për mos liberalizimin e vizave.

Megjithëse, Kosova ka arritur të marrë rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ku më pastaj Parlamenti Evropian kishte aprovuar rekomandimin për vizat. Mirëpo, çështja e vizave nuk ka arritur të futet në agjendën e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Të zhgënjyerit nga mos liberalizimi i vizave janë pa dyshim qytetarët e Kosovës, të cilët në rast të udhëtimit jashtë vendit duhet të pajisen me viza, e kur përmendet aplikimi për vizë dihet se duhet ‘një mal’ me dokumente e pritje të gjata para ambasadave të huaja.

Protesta në kërkim të liberalizimit të vizave: Mjaft të izoluar!

Reshjet e dendura të borës kanë bërë që të mos ketë numër të madh protestuesish.

Përfaqësueses të studentëve së bashku me Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës, kanë nisur protestën e paralajmëruar për sot për të kërkuar liberalizim të vizave.

Reshjet e dendura të borës kanë bërë që të mos ketë numër të madh protestuesish.

Marshi i tyre ka filluar nga Biblioteka Kombëtare ku do të vazhdojë deri te objekti i Qeverisë.

Aty është parë edhe deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, i cili ditë më parë dorëzoj pasaportën e tij në shenjë solidarizimi me qytetarët e Kosovës.

Studentët kanë protestuar edhe më herët duke kërkuar që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave. 

Image

***

Studentët e UP-së kanë filluar protestën në kërkim të liberalizimit të vizave.

Pavarësisht reshjeve të mëdha të borës, studentë dhe qytetarë kanë filluar të grumbullohen te Biblioteka Kombëtare për të shkruar deri te zyra e BE-së, në shenjë pakënaqësie për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë protestë në të cilën po merr pjesë edhe deputeti i AKR-ës Labinot Tahiri, numri i pjesëmarrësve duket mjaft simbolik.

Image

Kjo është hera e dytë që studentët protestojnë për kërkim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat