Gjykata e Apelit me shifër rekorde të zgjidhjes së lëndëve

Aktuale

Gjykata e Apelit me shifër rekorde të zgjidhjes së lëndëve

Më: 10 janar 2019 Në ora: 13:13
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, gjatë prezantimit të raportit të punës 1-vjeçare

Në vitin 2018 Gjykata e Apelit ka zgjidhur 13 mijë e 641 lëndë, që po konsiderohet si shifër rekorde.

Për herë të parë në këtë gjykatë numri i lëndëve të zgjidhura është më i madh se numri i lëndëve të mbetura për vitin vijues.

Vitin që e kemi lënë pas Apeli ka përfunduar të gjitha lëndët që kanë qenë të shënjestruara.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, gjatë prezantimit të raportit të punës 1-vjeçare.

Me këtë rast, ai ka thënë se viti 2018 ka qenë më i suksesshmi që nga themelimi i kësaj gjykate.

Shala: 13 mijë e 641 lëndë të zgjidhura

“Për herë të parë në histori të kësaj gjykate numri i lëndëve të zgjidhura gjatë vitit që po e lëmë kap shifrën rekorde 13 mijë e 641 lëndë janë të kryera. Për herë të parë në historinë e kësaj gjykate numri i lëndëve të zgjidhura është më i madh se numri i lëndëve të mbetura për vitin vijues. Numri i lëndëve të pazgjidhura nuk po rritet, por po zvogëlohet. Ju kujtojmë se në muajin gusht të vitit që lamë, kishim 13 mijë e 384 lëndë të pa zgjidhura, ndërsa tani kemi 12 mijë e 957, apo 427 lëndë më pak. Vitin 2018, Gjykata e Apelit e ka filluar me 12 mijë e 576 lëndë të trashëguara,  gjatë vitit kanë arritur edhe 14 mijë e 21 lëndë, shifër kjo më e madhja e regjistruar ndonjëherë, që do të thotë se kemi pasur punë gjithsej 26 mijë e 597. Prej tyre kemi arritur t'i zgjidhim 13 mijë e 640 lëndë, ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin 12 mijë e 957”, tha ai.

Shala ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 kjo gjykatë ka zgjidhur 2 mijë lëndë më shumë se në vitin 2017, ndërsa janë mbi 3 mijë lëndë më shumë se në vitin 2016. Kjo sipas Shalës është bërë me stafin pothuajse të përafërt që ndër vite e kanë pasur.

Në vitin 2018 Gjykata e Apelit ka pasur 36 gjyqtarë, ndërsa ka zgjidhur 13 mijë e 641 lëndë, ndërsa në vitin 2017 ka pasur 35 gjyqtarë dhe ka zgjidhur 11 mijë e 833 lëndë. Kurse në vitin 2016 ka pasur 34 gjyqtarë ka zgjidhur 10 mijë e 534 lëndë.

Ai ka folur edhe për lëndët kundër korrupsionit zyrtar dhe ato të shënjestruara.

Shala: Lëndët e shënjestruara janë përfunduar 

“Si sfidë e kemi pasur 2018 lëndët e korrupsionit dhe lëndët të cilat janë të shenjëzuara. Ne i kemi kryer të gjitha sa i përket lëndëve të shënjëzuara asnjë lëndë tani nuk e kemi dhe e kemi filluar këtë vit me zero lëndë të kryera, do të thotë asnjë lëndë nuk na ka mbetur për ta bartur për vitin 2019. Sa i përket lëndëve me karakter korruptiv, në vitin 2017 kemi filluar me 16 lëndë, ndërsa gjatë vitit 2018 na kanë ardhur edhe 100 lëndë, që do të thotë se i kemi pasur në punë 125 lëndë. Janë kryer 107, kanë mbetur këtë vit të kryhen edhe 18 lëndë, të cilat kanë ardhur në muajin dhjetor dhe për këtë janë bartur”, tha ai.

Sa i përket lëndëve të mbetura, Shala ka thënë se nga 11 mijë e 552 shumica janë të lëmit civil, ku ka potencuar se kanë akoma raste të pa përfunduara që nga vitin 2014.

Shala bëri të ditur se këtë javë në Gjykatën e Apelit do të fillojnë punën 10 gjyqtarë të ri, 9 prej të cilëve janë të lëmit civil dhe një ekonomik.

Kreu i Gjykatës së Apelit ka folur edhe për Divizionin e kësaj gjykate në Mitrovicë, ku ka thënë se në vitin 2018 është bërë plotësisht funksional dhe kanë 7 gjyqtar. Gjatë vitit të kaluar Shala tha se kanë caktuar dy kolegje civile dhe një penale, ku ka potencuar se janë 73 lëndë që janë kryer në këtë divizion.

Ndërkohë, bëri të ditur se muaj më parë janë dakorduar që lëndët e 6 komunave me shumicë serbe, këndej jugut, të gjykohen në Prishtinë nga kolegje të përbëra me dy gjyqtarë të komunitetit serb dhe një shqiptar.

Shala bëri të ditur se lëndët do të gjykohen si Gjykatë e Apelit të Kosovës dhe jo si të divizionit.

Shala: I kam themeluar edhe dy kolegje me gjyqtarë të divizionit Mitrovicë

“Veçantia është për shkak se disa nga gjyqtarët të komunitetit serb që kanë gjykuar në divizionin e Mitrovicës, kanë kërkuar edhe ato lëndë të gjykohen në divizionin e Mitrovicës. Mirëpo, këtë nuk e kam lejuar, sepse marrëveshja e Brukselit nuk e lejon, mund të gjykohen ato lëndë dhe do të gjykohen, por do të gjykohen si Gjykatë e Apelit të Kosovës jo si divizion. Kjo është arsyeja që unë kam insistuar dhe i kam themeluar edhe dy kolegje me gjyqtarë të divizionit Mitrovicë, por të gjitha lëndët do të gjykohen si Gjykatë e Apelit të Kosovës, jo divizioni i Mitrovicës”, tha Shala.

Ai ka mohuar se kanë pasur vërejtje se aktgjykimet e gjykatës në veri nuk përmbajnë emblemën e Kosovës, duke thënë se çdo punim që bëhet atje vjen edhe në Prishtinë, ku edhe arkivohet.

Kryetari i Gjykatës së Apelit ka folur edhe për bojkotin që avokatët janë duke e bërë, duke thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë.

Shala: Duhet kjo mosmarrëveshje të eliminohet sa më parë

“Konsideroj se duhet kjo lloj mosmarrëveshje sa më parë të eliminohet dhe të fillojmë punën së bashku gjithmonë si partnerë, si palë në procedurë. Për shkak se raportet mes gjyqtarëve dhe avokatëve, palëve dhe prokurorëve është e rregulluar me ligj, është e rregulluar me kodin e etikës, është e rregulluar me kodin e procedurës penale. Kështu që, unë shpresoj që edhe kjo do të tejkalohet”, tha ai.

Shala bëri të ditur se sot do të kenë takim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës lidhur me këtë temë.

I pari i Gjykatës së Apelit ka treguar edhe objektivat për këtë vit, ku ndër të tjera ka thënë se synojnë zvogëlimin e lëndëve të papërfunduara dhe azhurnimin sa më të shpejtë të tyre, sidomos në lëmin  civil dhe ekonomik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat