Pas Mogherinit, KMDLNJ e bën për ‘pesë pare’ edhe komisionarin Hahn

Aktuale

Pas Mogherinit, KMDLNJ e bën për ‘pesë pare’ edhe komisionarin Hahn

Më: 10 janar 2019 Në ora: 13:55
Johannes Hahn

KMDLNJ ka reaguar ndaj kërkesës së komisionarit evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn për heqjen e taksave ndaj mallrave serbe, duke thënë se ai së bashku me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini po anojnë në mënyrë të hapur ndaj Serbisë.

Mogherini dhe Hahn duhet ta kenë të qartë se masa tarifore 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja nuk mund të hiqet me deklarata të papërgjegjshme të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Prishtinës, kryetar i PSD dhe bashkëkryesues i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, pasi nuk është në kompetencë apo autoritet të tyre, përkujton KMDLNJ.

Masën tarifore prej 100% mund dhe mbase, pas një kohe do ta suspendojë vetëm Qeveria e Kosovës që edhe e ka caktuar atë masë, nëse në ndërkohë krijohen kushte për të, thuhet më tej në reagim.

KMDLNJ konsideron se kërcënimi që me urgjencë të hiqet kjo masë nga burokratët e BE- së, të cilët i kanë  “burgosur” 2 milionë qytetarë të Kosovës në një geto si ato të sovetos në Afrikën e Jugut, janë kundër çdo vlere demokratike dhe në mënyrë flagrante i shkelin të drejtat elementare të njeriut që garantohen me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e KB si dhe konventat evropiane për të drejtat e njeriut.

“Ne, qytetarët e Kosovës, jemi në pritje të një përgjigje nga ju z. Han për liberalizim të vizave!? Ju keni deklaruar se koha optimale apo e mundshme për liberalizim të vizave për qytetarë të Kosovës është viti 2020. Atëherë, keni durim edhe ju edhe Federica Mogherini, sepse  mbase , deri në vitin 2020 edhe Qeveria e Kosovës do ta heqë masën tarifore prej 100%. Mundet edhe më herët nëse Serbia sillet si një shtet normal dhe kur ju nuk do të jeni në pozitë të bëheni makro – politik i Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq”, porosit KMDLNJ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat