Japonia përkrahë financimin e projektit Kosova e Re

Aktuale

Japonia përkrahë financimin e projektit Kosova e Re

Më: 10 janar 2019 Në ora: 14:23
Ilustrim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), në krye me drejtorin e divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki, me të cilin bisedoi për sektorin e energjisë dhe projektin termocentralin Kosova e Re.

Lluka potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të  vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti për ndërtimin e Kosovës së Re ka për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Contour Global planifikon të vendosë gurthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundojë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit Kosova e Re, njëkohësisht të mbyllet  Kosova A dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit Kosova B”, tha ai.

Ndërsa, Ryuta Suzuki, tha se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit Kosova e Re, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit Kosova e Re do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të ko-gjenerimit dhe rritjes së kapacitetit me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit.

Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërirë, ku Kosova është zotuar të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat