Haradinaj flet për numrin e këshilltarëve: 400 i kanë punësuar paraardhësit tanë

Aktuale

Haradinaj flet për numrin e këshilltarëve: 400 i kanë punësuar paraardhësit tanë

Më: 10 janar 2019 Në ora: 16:15
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar numrin e lartë të këshilltarëve dhe zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se prej se ka ardhur në pozitën e shefit të ekzekutivit nuk ka punësuar më shumë se 60 zyrtarë dhe këshilltarë.

Ai tha se të dhënat e fundit në media për punësime të rreth 400 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit, janë të punuar nga Qeveria “Mustafa” dhe Qeveria “Thaçi”.

Haradinaj: Me ardhjen tonë në qeveri nuk kemi punësuar më shumë se 60 të rinj

“Del një lajm dhe thuhet që 400 zyrtarë kryeministria. Ata janë administratë e shtetit, nuk janë kryeministria. I ka sjellë Isa, i ka sjellë Hashimi, i ka sjellë ai para meje. Me ardhjen e Haradinajt mund të jenë në total të rinj rreth 50-60, që kanë ardhur të rinj në krejt administratën potenciale, përfshirë edhe këshilltarët që nuk janë aq shumë sa po thonë”, tha Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një takimi me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, i cili theksoi se viti 2019 do të jetë i ekonomisë dhe premtoi se do të ketë lehtësira për biznese.

Haradinaj: 2019-ta, vit i ekonomisë

“Investimet strategjike, me investimet që i kemi në vend me interes. Në Kosovë, i kemi disa operatorë të mëdhenj që operojnë “Bechtel Enka” në infrastrukturë , mirëpo e kemi edhe një investitorë “Contur Global”, investitorë shumë i madh, i cili do të ishte një interes i madh për Kosovën që të ndodhë ky investim në etapat e ardhshëm. Edhe jemi të interesuar po ashtu në këtë frymë t’i japim një strehë dhe një mundësi shtesë investimeve amerikane të përbashkëta në zonën ekonomike amerikane. Pra, për këtë ne kërkojmë ndihmën e juaj që të punojmë bashkë. Dua t’ju siguroj se është një vit i ekonomisë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë që vazhdon të jetë në fuqi masa 100 për qind e vendosur ndaj mallrave serbe, kryeministri Haradinaj u bëri thirrje bizneseve vendore të mos e shfrytëzojnë një situatë të tillë duke ngritur çmimet.

Haradinaj: Nuk jemi jashtëtokësorë

“Ne e dimi që taksa i ka shkaktuar disa çrregullime, disa vështirësi në të bërit biznes për disa biznese të vendit, nuk është vetëm produkti final , por janë edhe atë të lëndës së parë ose edhe produkte gjysmë final. Ju kemi thënë disa here që taksa nuk është bërë për shkak të prodhuesve vendorë, por për me qenë i sinqertë tarifa ka ardhur edhe si rezultat i specifikave të caktuara të krijuara. Ka ekzistuar kjo ide gjatë, por momenti ka qenë i tillë, politik, pasi që jemi ndier të rrezikuar nga proceset agresive, nga mohim edhe i të drejtave tona të të bërit biznes në bazë të tregtisë së lirë me Serbinë. Si do që të jetë, ne nuk kemi qenë të pa vetëdijshëm, nuk jemi jashtëtokësor, e kemi ditur që i ka do obligime të rënda”, tha Haradinaj.

I pari i Ekzekutivit foli edhe rreth gjendjes në Telekomin e Kosovës, për të cilin shfaqi shpresën se do të gjendet një zgjidhje për këtë  kompani.

Ndërsa, drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se qëllimi i takimit është diskutimi lidhur me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Ai shfaqi shpresën që prioritetet e Qeverisë të jenë sa më gjithëpërfshirëse për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. 

Zeka: Prioriteti i Qeverisë të jetë sa më gjithëpërfshirës

“Ajo çka ne mund të diskutojmë bashkërisht, sidomos duke ditur që në ditët e para kryeministri Haradinaj ka proklamuar që 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik, unë besoj që inputi i juaj do të jetë shumë i vlefshëm për të dhe për gjithë kabinetin e tij, që prioritetet, të cilat do të përcaktohen, të jenë sa më gjithëpërfshirëse”, u shpreh Zeka.

Ndërsa Ilir Ibrahimi, kryetar i Bordit të OEA, ka inkurajuar qeverinë për reformat qeveritare, por sipas tij, këto duhet të ndodhin në vazhdimësi për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat