Kundërshtohet ndryshimi i vendimit për taksën

Aktuale

Kundërshtohet ndryshimi i vendimit për taksën

Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:46
Mbledhja e Qeverise

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, sot në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar që të mos dëmtohen kompanitë vendore dhe të mos aplikohet masa e taksës 100 për qind për mallrat që kanë qenë në Kosovë deri në ditën kur është marrë vendimi.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se është e kuptueshme që një vendim i tillë i qeverisë të ndodhë, sepse institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes ndaj sipërmarrësve vendor.

Haradinaj: Është e kuptueshme që një vendim i tillë të ndodhë

“Arsyeja pse ka ardhur deri te ky propozim, kemi bërë kosulta edhe me ministrin e Financave dhe me drejtorin e Doganave, se ditën kur ne kemi marrë vendim për masën 100 përqind për mallrat serbe ka pasur mallra që kanë hyrë në Kosovë të cilat kanë qenë të pa zhdoganuara. Tani këtyre sipërmarrësve të vendit iu dyfishohet kostoja e mallit dhe nuk e kanë mundësinë me kthyer mbrapa këtë mall. Për këtë arsye mendoj se është e kuptueshme që një vendim i tillë i qeverisë të ndodhë me porosinë që kujdesi ynë ndaj sipërmarrësve vendor do të jetë i vazhdueshëm. Nuk ka qenë qëllimi i taksës asnjëherë dhe nuk do të jetë për dëmtimin e cilitdo sipërmarrës të Kosovës, por kanë qenë motive të tjera që kanë quar deri te taksa”, ka thënë Haradinaj.

Por ky propozim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i lexuar nga Haradinaj nuk është përkrahur nga ministri i Drejtsisë, Abelard Tahiri.

Tahiri ka theksuar se Qeveria nuk duhet të lëkundet nga vendimet e saja derisa te arrihet qëllimi politik.

Tahiri: Është gabim madh nëse ndërhymë në vendimin për taksën

“Mendoj që një propozim i tillë do të duhej të analizohet dhe rishikohet mirë edhe nga Ministria e Tregtisë, edhe nga institucionet e Kosovës para se ne ta marrim një vendim të tillë. Mendoj që çdo prekje e vendimit për taksën është vendim i gabuar. Mendoj se ne duhet me qëndruar në vendimin që e kemi marrë më herët dhe një asnjë rrethanë, pavarësisht kostos dhe çdo lëvizje tjetër është gabim i madh, sepse mund të hapim mundësi për keqpërdorime të reja të cilat si qeveri do ta kemi të pa mundur me i kontrollua. Andaj, mendoj se ky vendim sot duhet me u rrëzuar me vota. Është gabim i madh me lëviz prej pozicionit përderisa ne se kemi realizuar qëllimin tonë politik.  E kuptoj interesin e bizneseve, mirëpo si shtet duhet me marrë koston përsipër”,  deklaroi Tahiri.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se fillimisht duhet të dihet sasia dhe lloji i këtij malli dhe të dhënat tjera e më pas të miratohet ky propozim.

Limaj: Duhet ta dimi sa është sasia dhe çfarë mallrash janë

“A ka mundësi me treguar Ministria e Financave së bashku me Doganën, se sa është ajo sasi e mallit. Ne po votojmë diçka pa ditë sa është ajo sasi e mallit që deri në atë datë ka hyrë. Ta dimi saktë sa ka mall dhe për cilat mallra jemi t’u fol. Dogana dhe Ministria e Financave kanë të dhëna me dhënë një pasqyrë të atyre mallrave dhe pastaj me shkuar drejt vendimit”, ka thënë Limaj.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, për sasinë dhe llojin e mallrave të pa zhdoganuara nuk ka pasur informata, por premtoi se mund t’i sigurojë për një mbledhje të ardhshme.

Derisa sa të sigurohen edhe këto të dhëna, kryeministri ka shtyrë këtë propozim- vendim të MTI-së, deri në një mbledhje të tjetër të Qeverisë.

Në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar propozim -vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuara me ligjin e buxhetit të vitit 2018.

Në mbyllje të mbledhjes se sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Haradinaj ka theksuar se  ky vit do të jetë vit i fokusimit të angazhimit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, por në të njëjtën kohë ka kërkuar nga të gjithë që të aktivizojnë të gjitha resurset në ketë drejtim.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat