Kusari-Lila: Haradinaj i bënë nder partisë së vet dhe ndëshkim Kosovës

Aktuale

Kusari-Lila: Haradinaj i bënë nder partisë së vet dhe ndëshkim Kosovës

Nga: Y.R Më: 11 janar 2019 Në ora: 18:17
Mimoza Kusari-Lila

Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në rrjetin social facebook, është shprehur e pakënaqur duke thënë se Qeveria Haradinaj emërtoi këshilltarin ligjor të Pal Lekaj si drejtor të Aviacionit Civil të Kosovës. Ku në vend të Dritan Gjonbalajt drejtorit të deritashëm, u zgjodh Esat Berisha.

Ajo gjithashtu, përmendi se pagesat prej 53 milionë eurove të Bechtel- Enka-s, janë strukture e kapjes dhe zhvatje e shtetit. E që përveç kësaj, sipas Kusarit, Kryeministri vazhdon rritjen dhe mbajtjen e privilegjeve për vete dhe të tjerët rreth vetes edhe me ligjin e pagave, duke ia atribuuar vetes shtesat për të mbajtur pagën aktuale edhe me këtë ligj. “ Në ndërkohë ai din ti emërojë 35 këshilltarë për vete, për gjashtë zv/Kryeministrat e tij nga 11 apo 9 sosh”, ka shtuar Kusari.

“Sikur Kosova të kishte lidhur vendosjen e taksës 100% me zbatimin e marrëveshjes së energjisë, marrëveshjes së lëvizjes së lirë, marrëveshjes së IBM, sikur kemi propozuar ne Alternativa, ndoshta edhe do të kishim ndonjë rezultat të mirëfilltë për shtetin deri tani” ka deklaruar ajo” deklaroi Kusari.

Dhe krejt në fund, ajo përfundon duke shkruar se Kosova nuk e ka merituar këtë Qeveri dhe këtë nivel të keqpërdorimit të pushtetit dhe para se të ikën 50 % e popullatës më mire të ikë armata zhvatëse e Qeverisë Haradinaj.

Postimi i plotë:

Domosdoshmëria e largimit të Qeverisë Haradinaj

Sot Qeveria Hardinaj ia bëri edhe një nder partisë së vet dhe një ndëshkim shtetit të Kosovës. Qeveria emëroi këshilltarin ligjor të Pal Lekaj si drejtor të Aviacionit Civil të Kosovës. Një agjencion i cili kishte një drejtor superior dhe të aftë, por jo mjaftueshëm që të zgjidhej edhe nga Qeveria Haradinaj.

Në vend të Dritan Gjonbalajt drejtorit të deritashëm, u zgjodh Eset Berisha. Pa hyrë në faktin se Eset Berishën e kemi takuar në Kuvend kur i ndihmonte Pal Lekajt në komision të argumentojë pse duhet paguar 53 milion Euro Bechtel & Enka sa ishte këshilltarë i tij ligjor, pyetja shtrohet: a ka masë të ngopjes së kësaj strukture me kapje të shtetit dhe zhvatje të tij?

Derisa Kryeministri na ushqen me folklorizën politik për vendosmërinë e tij të mos e heq taksën ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë objektiv tjetër të matshëm apo plan B, në ndërkohë ai din ti emërojë 35 këshilltarë për vete, për gjashtë zv/Kryeministrat e tij nga 11 apo 9 sosh.

Kryeministri gjithashtu vazhdon rritjen dhe mbajtjen e privilegjeve për vete dhe të tjerët rreth vetes edhe me ligjin e pagave, duke ia atribuar vetes shtesat për të mbajtur pagën aktuale edhe me këtë ligj.

Kur po trashet lluksi i qeveritarëve, në Kosovë në grevë janë: minatorët, punëtorët shëndetësorë, ndërsa prej 14 Janarit, grevë kanë paralajmëruar edhe mësimdhënësit.

Cili është vizioni apo plani i kësaj qeverie, përveq se shtrirja e ndikimit dhe vazhdimi i privilegjeve për vete?!

Shtesë të gjithave të lartcekura, Kosova financon një ekip megalloman negociator, ndërsa Serbia refuzon dialogun sa është taksa në fuqi, por nuk humb kohë me Kosovën. Serbia dukshëm filloi ti eksplorojnë opsionet për tregje të reja. E shtetet mike të Serbisë i kanë dalë në ndihmë menjëherë.

Sot Parlamenti i Turqisë ratifikoi marrëveshjen e tregtisë së lirë me Serbinë. Ndërsa sot e nesër në Beograd po negociohet marrëveshja e tregtisë së lirë me unionin Euro - Azi (Rusia, Kazakistani, Bjelorusia dhe Armenia) e cila pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së Putinit në Beograd me 17 Janar.

Sikur Kosova të kishte lidhur vendosjen e taksës 100% me zbatimin e marrëveshjes së energjisë, marrëveshjes së lëvizjes së lirë, marrëveshjes së IBM, sikur kemi propozuar ne Alternativa, ndoshta edhe do të kishim ndonjë rezultat të mirëfilltë për shtetin deri tani.

Por, se kemi deficit serioz në mendime e vendime strategjike dhe se kryefjala e çdo vendimi është zhvatja dhe shpërbërja e shtetit, ballafaqohemi me situatat ku do të mbesim të izoluar, me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar nga miqtë tonë, ndërsa me bollëk do të kemi deklarata e fjalë heroike dhe rritje të varfërisë dhe izolimit.

Kosova nuk e ka merituar këtë Qeveri dhe këtë nivel të keqpërdorimit të pushtetit deri në masën kur besimin e humbin 50% të Kosovarëve të cilët në rastin e parë të dhënë duan të ikin nga ky vend.

Para se të ikin 50% të popullatës më mirë të ikë armata e zhvatëse të Qeverisë Haradinaj. Kosova humb çdo ditë një shansë të re për punë të mbarë sa është kjo strukturë në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat