PSD: Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, shansë drejt një Republike të barabartë për të gjithë - Bota Sot
PSD: Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, shansë drejt një Republike të barabartë për të gjithë

Aktuale

PSD: Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, shansë drejt një Republike të barabartë për të gjithë

Më: 12 janar 2019 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Partia Socialdemokrate përmes një njoftimi për media ka vlerësuar se votimi i djeshëm i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni paraqet një hap të mirë drejt një kohezioni të ri shoqëror në fqinjin tonë jugor, por edhe në rajon në përgjithësi.

“Përveç mënjanimit të pengesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, këto ndryshime kushtetuese i hapin rrugë ndërtimit të marrëdhënieve të reja në rajon, marrëdhënie këto të cilat domosdoshmërisht duhet të bazohen në parimet e fqinjësisë së mirë e barazisë mes popujve e qytetarëve, drejt një bashkëpunimi ekonomik, politik e kulturor, që i ndihmon zhvillimit të të gjithë popujve barabarësisht dhe pa dallim. Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese që e reflektojnë këtë marrëveshje i japin një goditje të fuqishme hegjemonisë shoveniste, për të nisur një fazë të re në shërbim të solidaritetit progresiv.Mirëpo, përveç se rajonalisht, kjo duhet të reflektohet mbi të gjitha brenda Maqedonisë. Maqedonia Veriore e së ardhmes do të jetë shtet kontributdhënës për paqen e bashkëpunimin në rajon, vetëm nëse përbrenda shndërrohet në hapësirë barabarësie në të drejta e mirëqenie për të gjithë qytetarët pa dallim. Në këtë drejtim e kemi parë dhe vazhdojmë ta shohim me shpresë fillimin e një reformimi të tillë të Maqedonisë. Ajo duhet domosdoshmërisht ta ç’rrënjos paragjykimin kulturor e diskriminimin politik e socio-ekonomik të shqiptarëve që jetojnë në të, paragjykim e diskriminim ky që bartet historikisht nga Maqedonia e Jugosllavisë, por edhe Maqedonia e pavarur, veçanërisht ajo e drejtuar nga Gruevski”, thuhet në një pjesë të njoftimit.

Partia Socialdemokrate përshëndet konsistencën e insistimin e disa prej deputetëve shqiptarë për amandamente kushtetuese që e siguruan njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në rendin kushtetues të Maqedonisë, si dhe hapësirën politike e juridike për kultivimin e papenguar të identitetit kombëtar shqiptar.

“Rezistenca e parë e Qeverisë së Maqedonisë karshi këtyre kërkesave të drejta nuk mund të arsyetohet. Ky ndryshim në Maqedoni që fillon me emrin e saj, nuk mund të përfundojë vetëm në emër, dhe të mjaftohet me të. Është shansë për një ndryshim rrënjësor në përceptimin dhe disejnimin politik të një Republike të qytetarëve, ku dallimet kulturore në asnjë mënyrë nuk duhen t’i cenojnë të drejtat e as ta pengojnë zhvillimin kombëtar, politik dhe socio-ekonomik e të gjithëve pa dallim. Kjo Republikë vjen si rezultat i bashkëpunimit të sinqertë me synimin e qartë për rrugën dhe interesin e secilit në krijimin e një shteti të tillë”, thuhet në fund të kumtesës. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...