Walker për idenë e korrigjimit të kufijve: Kjo është e padrejtë për Kosovën

Aktuale

Walker për idenë e korrigjimit të kufijve: Kjo është e padrejtë për Kosovën

Më: 12 janar 2019 Në ora: 23:11
William Walker

Ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve si mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kjo është e padrejtë për Kosovën.

“Ende nuk kam dëgjuar ndonjë zgjidhje të mundshme nga tryeza e bisedimeve që të jetë e zbatueshme, që të zgjidhte problemet”, ka thënë ambasadori Walker për Zërin e Amerikës.

“Dëgjon për shkëmbime territoresh apo ide të tjera. E di që Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje, një marrëveshje të negociueshme, e di që Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje”.

“U deklarua kohët e fundit se do të mbështesim çdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët. Mendoj se kjo është e padrejtë për Kosovën. Serbia është në një pozitë më të fuqishme”.

“Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera në anën e tyre. Kosova është në pozitë të dobët”.

Sipas tij, disa politikanë kosovarë mund të jenë të shqetësuar nga Specialja

“Jam disi i shqetësuar se klasa e tanishme politike, disa anëtarë të saj, janë të shqetësuar për një gjë tjetër që u rëndon mbi supe që është zyra e Prokurorit Special”.

“Disa prej tyre mund të ndjejnë se nëse nuk bëjnë atë që u thotë Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara, mund të akuzohen shumë më lehtë”.

“Zyra e Prokurorit Special ka kohë që është ngritur dhe ende nuk kam dëgjuar për akuza të ngritura kundër askujt, por e di se disa në lidershipin e tanishëm janë të shqetësuar se mund të akuzohen personalisht për krime lufte”.

Kujtojmë se në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, ka qenë ambasadori William Walker ai i cili ka gjetur 45 trupat e pajetë të shqiptarëve të cilët u masakruan nga forcat serbe në fshatin e Reçakut. Në prag të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker, thotë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat