SBAShK-u kërkon mirëkuptim për grevën e nesërme

Aktuale

SBAShK-u kërkon mirëkuptim për grevën e nesërme

Më: 13 janar 2019 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Gjatë ditës së nesërme pritet të fillojë greva e përgjithshme në arsim, si pasojë e pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave.

Përmes një komunikate për media, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka kërkuar mirëkuptim për orët e humbura e njëherësh u ka bërë thirrje nxënësve e prindërve që ta përkrahin grevën.

“Ju bëjmë apel që të dilni në mbështetje  të edukatorëve e mësuesve të fëmijëve tuaj në mënyrë qe këta në ligjin e pagave mos të mbesin me koeficient më të vogël se vozitësit dhe truprojat e krerëve të shtetit, dhe mos lejoni që disa sektorë të caktuar të kenë pagën deri në 88% më të madhe se sa mësuesit e fëmijëve tuaj”, thuhet në thirrjen e SBAShK-ut.

Jasharaj ka ftuar në takim edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për të analizuar së bashku Ligjin për Pagat. Sipas Jasharajt, me ligjin aktual të pagave po dëmtohen punonjësit e arsimit.

“Ju bëjmë edhe Deputetëve të Parlamentit të Kosovës, një pjesë e të cilëve ishin punëtorë të arsimit, që të gjejnë kurajo ta ndërpresin pushimin dhe të takohen, dhe ta analizojnë në detaje ligjin e pagave, por edhe tabelën 1 shtojcë të këtij ligji sepse aty lehtë mund të vërejnë sa janë dëmtuar të punësuarit në arsim, dhe të korrigjojnë këtë gabim të qëllimtë apo të pa qëllimtë të ministrit Yagcilar se bashku me komisionin hartues të këtij ligji”, thuhet më tutje në komunikatë.

Përndryshe, greva e përgjithshme në arsim pritet të fillojë nga dita e nesërme, prej orës 09:00 deri në 12:00, për të gjitha nivelet arsimore në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe, SBAShK-u ka bërë thirrje që të ndërpritet çdo aktivitet mësimor deri sa të realizohen kërkesa e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat