Arsimi nga nesër në kolaps, nis greva, Qeveria s’ua plotëson kërkesat

Aktuale

Arsimi nga nesër në kolaps, nis greva, Qeveria s’ua plotëson kërkesat

Më: 13 janar 2019 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Prej nesër nisin grevat edhe në arsim. Dyert e shkollave do të mbyllen për nxënës, ndërsa, mësimdhënësit obligohen të dalin në vendet e tyre të punës. Qeveria s’i ka plotësuar kërkesat e arsimit fillor e të mesëm. Kërkesa e tyre është për rritje pagash siç ka ndodhur me mjekët, policët dhe kategoritë tjera

Nxënësit e shkollave publike nesër do të pushojnë. Nuk do të kenë mundësi të shkelin nëpër shkollat e tyre. 

Krejt kjo për shkak se nesër do të fillojë një grevë e mësimdhënësve në gjithë Kosovën. 

Bojkoti i mësimit në arsimit fillor dhe të mesëm po bëhet me kërkesë që të rriten pagat e mësimdhënësve. 

Në fakt, po kërkojnë që rritja e pagave të behet edhe në arsim siç është paraparë të ndodhë në shëndetësi, polici dhe fusha tjera.

Rrahman Jasharaj përfaqësues i sindikatës së arsimit ka thënë se në grevë hyjnë të gjithë mësimdhënësit derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

“Të gjithë mësimdhënësit do të jenë në grevë sepse kjo është kërkesë e tyre. Greva është e përgjithshme dhe për ndërprerje të saj varet vetëm nga korrektësia e institucioneve se a do t’i përmbushin kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka theksuar se kërkojnë që në Projektligjin për Paga të korrigjohen koeficientet e pagave duke filluar nga çerdhet e deri tek arsimi Universitar.

“Projektligji për paga të korrigjohet sepse është degradues. Kemi kërkuar të bëhet korrigjimi i koeficienteve 30 për qind për tërë sektorin e arsimit. Reagimi ynë është i arsyeshëm kur vozitësit e krerëve të shtetit kanë paga më të larta se mësimdhënësit”, ka thënë Jasharaj.

Ndërsa ai ka shtuar se Kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe Ministri I Arsimit, Shyqri Bytyqi kanë deklaruar që sistemi I arsimit është tepër ulët në këtë projektligj, ndërsa sipas tij ata kanë theksuar se kërkesat e mësimdhënësve janë legjitime.

Jasharaj ndërkaq ka thënë se pritet që të hënën të takohen me ministrin Bytyqi si dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, si dhe me Komisionin Parlamentar për Administratë.

Ndërkaq kërkesa e SBASHK’ut ështe që Komisioni Parlamentar për Administratë I përbërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta ndryshojë koeficientin, në versionin aktual ku thuhet se do të ketë rritje pagash për policinë të shtohet se kjo vlen edhe për sektorin e arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat