SBAShK-u nuk pranon paga më të ulëta se shoferët e udhëheqësve të shtetit

Aktuale

SBAShK-u nuk pranon paga më të ulëta se shoferët e udhëheqësve të shtetit

Më: 14 janar 2019 Në ora: 09:46
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

(E plotësuar) - Sot ka filluar greva e përgjithshme në arsim, me ç’rast kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka përsëritur qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga greva pa u rritur së paku për 30 përqind koeficienti i mësimdhënësve.

Gjatë vizitës në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, Jasharaj tha se mësimdhënësit asessi nuk do të pranojnë të paguhen më pak se shoferët e ministrave.

Jasharaj: Nuk lejojmë te jemi më poshtë se shoferat

“Nuk mund të lejojmë më që të jemi më poshtë se një shofer i një udhëheqësit të shtetit. Ne me koeficient jemi më pak se shoferi, e jemi profesora me mastera e të tjera”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj pranon se greva mund të jetë e dëmshme për nxënësit, por thotë se SBAShK-u nuk pati rrugëdalje tjetër. Njëherësh ai është shprehur i gatshëm që të takohet me Komisionin Parlamentar kurdo që caktohet një takim i tillë.

Jasharaj: Nuk lamë derë pa hapur

“Jo nuk do të heqim dorë nga greva për faktin se na mbështetën për muri… Nga maji e këndej nuk kemi lënë derë pa hapur, kemi pasur takime të vazhdueshme me kryeministrin Haradinaj, me ministrin Bytyqi, me ministrin Yagcilar, me deputetët të Kosovës dhe i kemi lutur që ata të veprojnë dhe ta kryejnë detyrën e tyre. Kanë pasur kohë me muaj dhe unë kam pritur që greva një orëshe e 28 dhjetorit do të tingëllojë në veshët e tyre, mirëpo si duket ata kanë thënë se hajt grevë një orëshe nuk bëhet gjë. Kjo greva e tanishme është komplekse sepse në të janë edhe çerdhet. Institucionet e Kosovës munden që brenda një kohe të shkurtër t’i realizojnë kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj.

Kreu i SBAShK-ut ka thënë se tashmë kanë gjetur përkrahje edhe nga prindërit. Sipas tij, institucionet do të reagojnë vetëm nëse bëhen bashkë mësimdhënësit dhe prindërit.

Ndërkaq, Fetih Çitaku ka katër fëmijë në këtë shkollë. Edhe pse fëmijët e tij do të mbesin pa mësim për shkak të grevës, ai ka dalë që të mbështesë vendimin dhe kërkesat e SBAShK-ut.

Çitaku: Mësimdhënësve nuk po iu shpërblehet mundi sa duhet

“Në realitet unë kam katër fëmijë në këtë shkollë dhe e shoh vazhdimisht mundin dhe përpjekjet që i bëjnë mësimdhënësit e kësaj shkolle për të edukuar dhe arsimuar fëmijët tanë dhe në këtë aspekt jam vigjilent dhe e shoh që ia mund i tyre, unë së paku mendoj që nuk po iu shpërblehet ose paguhet, dhe në këtë aspekt, me faktin që këta kanë vendosur të hyjnë në grevë, ndjeva moralisht njëfarë obligimi të jem afër tyre”, ka thënë Çitaku.

Jasharaj ka sqaruar edhe deklaratat e tij lidhur me propozimin e ministrit Bedri Hamza për rritjen e buxhetit.

Jasharaj: Në ligj të jemi të barabartë

“Me këto 80-90 milionë nuk është paraparë asnjë cent për arsim, dhe unë e kam thënë në shenjë reagimi, Le të tregohen këta tjerët patriota e me paratë që duan t’i mbushin xhepat, le t’ia dërgojnë ushtrisë e ne të ulemi e të jemi me ligj të gjithë të barabartë apo ku e kemi vendin meritor”, ka përfunduar Jasharaj.

Përndryshe, SBAShK-u ka paralajmëruar që greva mund të zgjasë me muaj të tërë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Kryetari i SBASHK-ut: Na mbështetën për muri

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vizituar shkollën fillore "Hasan Prishtina" me rastin e fillimit të grevës së përgjithshme në arsim, ku tha se kanë marrë përkrahje edhe nga prindërit e kësaj shkolle.

 "Jemi të mbështetur për muri, nga maji e këndej nuk kemi lënë derë pa hapur, kemi pasë takime të vazhdueshme me kryeministrin Haradinaj, ministrin Bytyqi e deputetë të Kosovës dhe i kemi lutur ta kryejnë detyrën e tyre. Kanë pasur kohë me muaj dhe unë kam pritur që greva një-orëshe e 28 Dhjetorit të tingëllojë në veshët e tyre, por ata kanë thënë hajt se greva një-orëshe nuk është asgjë", ka thënë Jasharaj.

Ai ka përsëritur se nuk do të tërhiqen nga vendimi nëse koeficienti i pagave nuk rritet së paku 30 përqind.

"Nuk mund të pranojnë që shoferët e tyre të kenë koeficient më të lartë se ne që jemi profesorë", ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, grevën në këtë shkollë po e përkrahin edhe prindërit.

***

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj me anëtarë të Këshillit Qendror Grevist do të vizitojnë Shkollën “Hasan Prishtina”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat