Avokatët e Speciales do të paguhen nga 100 euro në orë - Bota Sot
Avokatët e Speciales do të paguhen nga 100 euro në orë

Aktuale

Avokatët e Speciales do të paguhen nga 100 euro në orë

Më: 14 janar 2019 Në ora: 19:18
Arianit Koci dhe Muharrem Mustafa

100 euro, pritet të jetë shuma që shteti do të paguajë për një orë pune të avokatëve që do të mbrojnë të akuzuarit e Gjykatës Speciale, intervistimi i të cilëve ka nisur tashmë.

Ministria e Drejtësisë është zotuar në mosdiskriminimin e të akuzuarve të Speciales duke theksuar se do të përcaktojë një tavan që paratë të shfrytëzohen në mënyrë të barabartë për të gjithë të akuzuarit.

“Media” ka kontaktuar disa nga avokatët e akredituar për të mbrojtur të akuzuarit e Speciales, por asnjëri nga ta nuk ka folur, duke theksuar se as vetë nuk e dinë se si do të paguhen për të mbrojtur ish-krerët dhe ushtarët e UÇK-së.

Muajin e kaluar në emisionin “Interaktiv”, avokati Tahir Rrecaj, ka thënë se shpenzimet janë të larta dhe janë të papërballueshme për të akuzuarit, por që shpreson se do të mbulohen nga Qeveria e Kosovës.

Kosova ka në fuqi Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Bazuar në këtë ligj, të akuzuarit kanë të drejtë në mbrojtje juridike, për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes. Mbështetje financiare do të ketë edhe për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore dhe të drejtën në kompensim, në rast se ata shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Në tri faqe të këtij ligji të miratuar në gushtin e 2015-s në Kuvendin e Kosovës, ka shumë paqartësi, pasi aty referohet që procedurat të përcaktohen me rregullore dhe udhëzime që është dashur të miratohen në tremujorin e parë të fuqizimit të këtij ligji, raporton KTV.

Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, ka thënë se është e vërtetë se janë vonuar në hartimin e këtyre dokumenteve, por që tashmë ato janë përpiluar dhe pritet t’i dorëzohen Qeverisë në fund të kësaj jave.

Fondi 1.5 milion euro i ndarë nga Qeveria e Kosovës për mbrojtje juridike dhe mbështetje financiare për të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale, mund edhe të rritet, kishte bërë të ditur më parë ministri Tahiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...