Përfundon intervistimi i Remit në Hagë, flet ish-komandanti i UÇK-së

Aktuale

Përfundon intervistimi i Remit në Hagë, flet ish-komandanti i UÇK-së

Më: 15 janar 2019 Në ora: 10:18
Rrustem Mustafa pas intervistimit në ditën e dytë në Prokurorinë Speciale të Hagës

(E plotësuar) - Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është deklaruar para gazetarëve pas përfundimit të marrjes së tij në pyetje nga Gjykata Speciale, në Holandë.

“Sot përfundoi intervista pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë”, është shprehur Mustafa.

“Unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së. “Ka qenë intervistë e gjatë. Sot përfundoi”, ka shtuar ai.

“Pyetjet ishin shumë serioze. Kemi qenë edhe ne shumë seriozë gjatë përgjigjeve. Dhe, sapo përfunduam”, ka përfunduar Remi.

***

Ka përfunduar intervistimi i Rustem Mustafës – Remit në zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Intervistimi i tij ka zgjatur rreth nëntë orë ndërsa përkundër insistimit, ende është i paqartë nëse Remi është ftuar në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit.

“Procedura zyrtare e marrjes së tij në pyetje ka përfunduar. Familjarët kanë thenë se janë disa procedura që duhet të përfundojnë para se të dalë nga objekti”, raporton nga Haga.

Intervistimi i gjatë i Remit në Hagë

Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa- Remi po intervistohet ende nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara, në Hagë të Holandës.

Derisa dje intervistimi i tij zgjati shtatë orë, sot në ditën e dytë ai është edhe më i gjatë. 

Remi bashkë me avokatin e tij, Arianit Koci kanë hyrë brenda ndërtesës së Prokurorisë në orën 10:00 ndërsa intervistimi po vazhdon edhe tani kur ora shënon 17:30.

Remi të dielën nga aeroporti i Prishtinës ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm dhe se po i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për pretendimet e bëra nga Dick Marty.

Nesër në Hagë sot të nis intervistimi i ish komandantit tjetër të UÇK-së nga Zona e Drenicës, Sami Lushtaku.

Remi po vazhdon të merret në pyetje në Hagë

 Edhe pas gjashtë orëve, po vazhdon intervistimi i ish-komandantit të UÇK’së, Rrustem Mustafës, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Rrustem Mustafa – Remi, i cili pasditen e së dielës udhëtoi për në Hagë, ka hyrë në ditën e dytë të intervistimit nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandanti i UCK’së në Zonën e Llapit, dje u intervistua për 7 orë, ndërsa ai po vazhdon të merret në pyetje. Intervistimi i sotëm i tij ka filluar në orën 10 të mëngjesit.

Bashkë me Mustafën, gjatë fundjavës ka udhëtuar për në Holandë edhe ish-komandanti i UCL’së në Zonën e Drenicës, Sami Lushtaku.

Ky i fundit do të intervistohet nesër nga prokuorët e Tribunalit Special.

Ndryshe, ftesa për komandant Remin ishte e para për të cilën raportoi media në fillim të dhjetor të vitit 2018, se ka ardhur nga Tribunali Special.

Pak pas raportimit, thirrjen e Mustafës, e më vonë edhe të Lushtakut i kishte konfirmuar vetë avokati i tyre Arianit Koci përmes komunikatave për media. 

Pas Remit, u bë e ditur se në Hagë, duhet të paraqitet edhe Nazif Mehmeti, që bashkë me Mustafën, kohë më parë janë dënuar për krime lufte në Kosovë. 
Mehmeti, sipas avokatit të tij, do të merret në pyetje nga një prokuror i Specializuar i Hagës për tre ditë resht, më datat 22, 23 dhe 24 janar 2019. 

Tri ditë, jo në Hagë, por në Prishtinë, Zyra e Prokurori të Specializuar për Kosovës e intervistoi edhe Sokol Dobrunen, ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së. 

Kjo ndodhi në dhjetor të vitit të shkuar, por pasi përfundoi intervistimin në Prishtinë, vetë Dobruna pohoi se në janar të këtij vitit do t’i duhet të udhëtojë edhe në Hagë, për t’i përsëritur ato që tha në Prishtinë. 

Ndërkohë, në Kosovë, gjatë dhjetorit të shkuar, për orë të tëra është intervistuar edhe ish-epror tjetër i UÇK-së, Safet Syla.

Ndërsa, më 14 janar është intervistuar në selinë e Zyrës së Prokurorit të Specializar në Prishtinë edhe Sabahajdin Cena, Drejtor i Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut. 

Ftesë Zyra e Prokurorit të Specializuar, i ka dërguar edhe Remzi Shalës nga Suhareka. I njohuri si “Komandat Molla e Kuqe” besohet të jetë arratisur nga Kosova, ndërkohë sa vetë ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend që ti përgjigjet Gjykatës Speciale.

Detaje të intervistimit të Remit në Hagë

Ish- komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, aktualisht është duke u marrë në pyetje për pjesën e dytë të intervistimit të ditës së sotme në Hagë të Holandës.

Sipas mediave vendore  pyetjet që i janë bërë Mustafës “kryesisht janë në cilësinë e të dyshuarit”.

Intervistimi i tij gjatë ditës së djeshme ishte i përgjithshëm, ndërsa sot marrja në pyetje është më e detajuar për disa raste specifike.

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, edhe dje ishte intervistuar nga Prokurori Special për rreth shtatë orë.

Sot, pas orës 17:00, pritet të përfundojë intervistimi i tij.

Përballë Prokurorit Special nesër do të dalë edhe ish-komantanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, i ftuari tjetër i Gjykatës Speciale për intervistim.

Gjatë muajit mars pritet të ketë një valë tjetër të intervistimeve të profileve të larta, në Gjykatën Speciale në Hagë.

Përfundon pjesa e parë e intervistimit të komandant Remit

Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa (Remi) ka vazhduar intervistimin edhe sot në Hagë, i cili ka nisur në orën 10.00 të mëngjesit.

Remi është intervistuar për të ditën dytë nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, përderisa gjatë ditës së djeshme kishte një intervistim maratonikë i cili zgjati hiç më pak se 7 orë.

Burime të medias bëjnë me dije se Remi pritet që të kthehet në Kosovë gjatë ditës së nesërme.

Ish-Komandanti i UÇK-së u ftua nga Gjykata Speciale ndërsa kësaj ftese iu përgjigj menjëherë ku nisjen për në Holandë e pati të dielën e shkuar.

Kujtojmë faktin se përveç Mustafës, ka edhe shumë fytyra të njohura publike të cilët tashmë kanë marrë ftesa nga Specialja, përderisa nesër pritet që prokurorët të marrin në pyetje edhe ish-Komandantin e UÇK-së, Sami Lushtakun.

***

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën operative të Llapit, Rrustem Mustafa, po merret në pyetje për të dytën ditë me radhë në Hagë të Holandës. Mustafa hyri në selinë prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, i shoqëruar nga avokati i tij, Arianit Koci, pak para orës 10:00 të mëngjesit.

Asnjëri prej tyre nuk janë deklaruar për media, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë ndonjë informacion për ish-pjesëtarët UÇK-së që janë ftuar për t’u marrë në pyetje.

Po ashtu nuk dihet ende se në çfarë cilësie po intervistohet Mustafa, i cili gjatë ditës së djeshme u morr në pyetje për më shumë se shtatë orë. Të mërkurën, në Hagë pritet të intervistohet edhe Sami Lushtaku, një tjetër ish-komandant i UÇK-së, ndërsa të ftuar për intervistim janë edhe të tjerë.

***

Ka nisur intervstimi i ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa-Remi pranë prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë

Ish- komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa do të vazhdojë sot intervistimin e tij para prokurorëve të Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat