Kurti: Drejtësia është aq e vonuar saqë ajo ende nuk ka filluar

Aktuale

Kurti: Drejtësia është aq e vonuar saqë ajo ende nuk ka filluar

Më: 15 janar 2019 Në ora: 12:04
Albin Kurti

Albin Kurti kryetar i VV-së, shkruan se masakra e Reçakut e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore që të ndërhyjë NATO-ja kundër Jugosllavisë së Millosheviqit, duke e kuptuar të gjithë atë që ne e dinim kaherë, se Serbia e kupton vetëm gjuhën e saj, pra gjuhën e forcës.

Postimi i plotë:

Kujtesa jonë është e freskët për masakrën e Reçakut edhe 20 vjet pas saj. Pamjet ishin aq të tmerrshme saqë ne tronditemi prej tyre edhe sot e kësaj dite. Drejtësia është aq e vonuar saqë ajo ende nuk ka filluar. Nuk është gjykuar e dënuar asnjë polic apo ushtarak serb për këtë krim të pashembullt.

Me 10 qershor të vitit 2005, bashkë me banorët e fshatit Reçak dhe me familjarët e martirëve e patëm vënë përballë UNMIK-ut një çarçaf me emrat e njëzet kriminelëve serbë të cilët ishin ekzekutorë të shqiptarëve në Reçak më 15 janar të vitit 1999. Ende, as drejtësia vendore dhe as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë mizore popullsinë civile të pambrojtur e të paarmatosur. Masakra e Reçakut e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore që të ndërhyjë NATO-ja kundër Jugosllavisë së Milosheviqit, duke e kuptuar të gjithë atë që ne e dinim kaherë, se Serbia e kupton vetëm gjuhën e saj, pra gjuhën e forcës.

Sot, dy dekada më vonë, ne përulemi me respekt e me dhimbje, por edhe me krenari, për martirët dhe dëshmorët e kombit në përgjithësi dhe posaçërisht për ata këtu në Reçak. Familjarët e të vrarëve janë po ashtu viktima dhe çdo ditë që kalon është ditë e padrejtësisë për ta. Dëshmorëve dhe martirëve të kombit si dhe familjeve të tyre ne si qytetarë, si politikanë, si përfaqësues, si aktivistë iu kemi shumë borxh. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat