Dorëzohet Haradinaj, qeveria heq taksën ndaj Serbisë për këto produkte

Aktuale

Dorëzohet Haradinaj, qeveria heq taksën ndaj Serbisë për këto produkte

Më: 15 janar 2019 Në ora: 14:50
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar) -  Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim që të gjitha mallrat që kanë hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës para datës 21 nëntor të vitit të kaluar, kur edhe është marrë vendimi për ngritjen e taksës në 100%, të lirohen nga kjo taksë.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/76 të datës 21.11.2018, me të cilin përjashtohen nga taksat mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që janë importuar deri me datë 21.11 2018, dhe janë gjetur nën procedurat doganore me regjim të pezulluar (depo doganore, import të përkohshëm, përpunim nën kontroll doganor dhe përpunimi i brendshëm) me rastin e lëshimit në qarkullim të lirë.

“Sipas raportit nga Dogana e Kosovës, prej datës 21.11.2018, mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nuk janë lejuar të futen në Depo Doganore për pezullim të taksave, përveç brendeve. Ndërsa pas Vendimit numër 06/82 datë 28.12.2018 kjo ndalesë vlen edhe për brendet ndërkombëtare. Me datë 12, 13 dhe 14 dhjetor nga ana e zyrtarëve doganorë janë kontrolluar fizikisht mbi 95% të të gjitha këtyre produkteve dhe ka konstatuar se të njëjtat janë të disponueshme tek subjektet afariste, pra janë të magazinuara në Depo Doganore. Këto mallra kanë afat qëndrimi në Depo Doganore 1 vit nga data e futjes në depo”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas kriterit të licencimit për depo doganore, Qeveria thotë se është paraparë që çdo mall në import me regjim në depo doganore të shkarkohet brenda një viti nga data e importit, përveç rasteve të veçanta.

***

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka hequr dorë nga taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbinë as pas reagimit të SHBA-së për heqjen e saj, duke thënë se taksa do të qëndrojë deri në vitin 2022, kur përfundon mandati i tij si kryeministër.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë,  Haradinaj ka pranuar se ka marrë një letër nga ambasadori i SHBA-së Philip Kosnett, për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë. 

Ai ka arsyetuar këtë kërkesë duke thënë se SHBA në këtë mënyrë synon hapjen e dialogut, por ka përsëritur se pezullimi i taksës mund të ndodhë vetëm me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradinaj: Taksa 100 % në fuqi deri më 2022 nëse nuk na njeh Serbia

“Ambasadori ka shprehur qëndrimin e Qeverisë amerikane për kërkesën për pezullim të taksës në mënyrë për t’i hapur rrugë dialogut. Është kërkesë zyrtare e tyre. Nëse shkruhet një marrëveshje, një kontratë gjithëpërfshirëse, e duhet aty për ta vendosur firmën, ia japim mundësinë e pezullojmë për aq ditë sa zgjat ajo mundësia me u nënshkruar, me automatizëm hyn në fuqi nëse nuk nënshkruhet. Pra, nuk është qëllimi me taksë për ta bllokuar nënshkrimin e marrëveshjes për njohje. Por, pa njohje nuk vlen. Serbia mendon të shkojë deri në 22-ën me një zvarritje të proceseve, atëherë e ka momentin e aplikimit për BE, edhe ne do ta mbajmë taksën deri në 2022. Pra, nëse s’ka marrëveshje për njohjen, taksa rrinë”, tha Haradinaj.

Ai ndërkaq ka mohuar mundësinë që marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë mund të pranohet nga SHBA edhe nëse përmban korrigjim të kufijve.

Haradinaj: SHBA nuk ka orientim të ndërrimit të territoreve

“Ne kemi komunikim direkt me administratën e presidentit Trump. Nuk kanë orientim të ndërrimit të kufijve apo territoreve. Por na kanë thënë që mos u bëni paranoik prej frikës që u fol kjo temë te Mogherini, e të bllokohen edhe opsionet pozitive. Tash, kur thash se unë kam dashuri pa kushte për Amerikën, unë kam si Kosovë e 17 shkurtit. Ne e kemi shpallur veten shtet, e kemi një Kushtetutë, është Kosova e 17 shkurtit. Unë nuk mundem me e heq 17 shkurtin, territorin, kufijtë. Pra, nuk ka logjikë me dal nga vetja dhe me ta kërkuar dikush këtë”, u shpreh ai.

Njëherësh, kreu i Ekzekutivit ka mohuar se SHBA mund të marrë masa kundër përkrahjes për Ushtrinë e Kosovës.

Ai ka treguar nëse do të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit në Amerikë.

Haradinaj: Me klimën e shkaktuar për taksën, këtë herë nuk do të shkoj

“Ftesë kam marrë për Lutje të Mëngjesit, edhe qejf kam me shkuar. I vendosur s’kam qenë ende a do të shkoj. Me klimën për taksën po më duket se nuk shkoj këtë herë. Pra, duhet pritur të shkoj më vonë”, u shpreh ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të LDK-së në adresë të Qeverisë të Kosovës, duke thënë se për ta pranuar LDK në qeverinë e tij, do të duhej të konsultohej me bashkëpunëtorët në koalicion.

Ai përsëriti se është me rëndësi që LDK dhe Vetëvendosje të marrin pjesë në procesin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj: LDK po flet me dy zëra

“Është pak e habitshme mosardhja në tavolinë. Nëse, ta zëmë, LDK është kundër korrigjimit të kufijve, si z. Haziri që është duke dalë pak si kundër si zakonisht, dhe është bë LDK me fol me dy zëra. Atëherë sikur ata të kishin ardhur në tavolinë, ishin forcuar ata që ishin kundër korrigjimit”, tha Haradinaj.

***

Të gjitha mallrat serbe që kanë hyrë në Kosovës para vendosjes së taksës prej 100% do t’i nënshtrohen taksës vetëm prej 10%.

Kështu ka vendosur kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur sot.

Qeveria më 21 nëntor e kishe vendosur taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë.

***

Sot mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.

Pikë e katërt e rendit të ditës pritet të jetë edhe shqyrtimi i propozim-vendimit lidhur me mallrat që kanë hyrë në territorin e Kosovës para vendosjes së masës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Departamenti i Shtetit Amerikan ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shfuqizimin e menjëhershëm të taksës ndaj Serbisë, por nga qeveria po thonë se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga autoritetet amerikane që të tërhiqet taksa prej 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Drejtpërdrejt nga konferenca në Qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës. 

Pas kësaj mbledhje është paralajmëruar konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat