Haziri thotë se LDK e ka larguar Vetëvendosjen nga gazi dhe koktej molotovët

Aktuale

Haziri thotë se LDK e ka larguar Vetëvendosjen nga gazi dhe koktej molotovët

Më: 15 janar 2019 Në ora: 19:42
Foto arkiv

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i është kundërpërgjigjur akuzave të kryetarit të Kuvendit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili ditë më parë në një intervistë, deklaroi se “LDK-ja është bërë kopje e Vetëvendosjes”.

Në një intervistë me gazetarin Muhamet Hajrullahu, Haziri u shpreh se LDK-ja e ka larguar VV-në nga rrugët jo demokratike.

Sipas Hazirit, me bashkëpunimin LDK-VV, kjo e fundit është larguar nga koktejt e molotovit dhe gazi lotsjellës.

“Ndoshta ne i kemi bërë shërbim, pasi bashkëpunimi me VV-në ia ka larguar VV-së koktejin e molotovit, gazin, bllokimin e dyerve të Kuvendit. VV-ja është bërë kopje e LDK-së, pasi janë bërë institucionalista, i kemi larguar nga mjetet jo demoraktike”, deklaroi nënkryetari i LDK-së.

Ai përmendi dërgimin e letrave, që e kanë bërë bashkë me Vetëvendosjen drejtuar BE-së por edhe Uashingtonit, në lidhje me zhvillimet për dialogun.

Në këtë intervistë, Haziri komentoi edhe deklaratat e tjera nga Kadri Veseli, i cili tha se “LDK-ja mos t’i fërkojë duart nga Speciala”.

Nënkryetari i LDK-së duke iu përgjigjur këtyre akuzave, tha se deklaratat e tilla janë komike dhe tragjike.

“Deklarata e djeshme e Veselit që është thirja që mos t’i fërkojmë duart për Specialen, është deklarata më tragjike që një lider mund ta bëjë në një vend. Non-sens, dhe tragjike në njërën anë, në tjetrën është edhe komike. Sepse LDK-ja asnjëherë nuk është gëzuar dhe s’kemi pas asnjë pritje në lidhje me Gjykatën Speciale”, deklaroi Lutfi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat