Haradinaj: Zhvillimi ekonomik lokal prioritet, komunat e pakënaqura me buxhetin

Aktuale

Haradinaj: Zhvillimi ekonomik lokal prioritet, komunat e pakënaqura me buxhetin

Më: 16 janar 2019 Në ora: 07:40
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Zhvillimi ekonomik lokal është prioritet i Qeverisë së Kosovës për vitin 2019, e për realizimin e këtij prioriteti është edhe miratuar strategjia për zhvillim ekonomik lokal 2019-2023.

Kështu është thënë në takimin që kryetarët e Komunave të Kosovës kanë pasur ditën e sotme me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri-Komuna”.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se çdo kërkesë që është për interes të zhvillimit ekonomik lokal është adresuar dhe do të adresohet me kujdes.

Mirëpo, ai ka thënë se e di që kryetarët e komunave nuk janë të kënaqura me buxhetin që u është ndarë për këtë vit.

Haradinaj: E di që nuk jeni të kënaqur me buxhetin për komunat

“Jemi angazhuar dhe kemi mbajtur komunikim me kryetarët e komunave edhe sa i përket buxhetit, këtu nuk mund të them që ju jeni të kënaqur se e di që nuk jeni. Por, megjithatë kemi qenë të hapur në këtë komunikim në raste të caktuara e kemi bërë edhe përkrahje. Për vitin që vjen ne na duhet tash të shkojmë me prioritet me i identifikuar se çka kanë mbetur punë dhe mundësisht në takimin e sotëm, të na ndihmojnë për listën e detyrave për vitin që kemi hyrë. Mendoj që Qeveria e vendit, në këtë rast edhe unë, mendoj që jemi kujdes me respekt për kërkesat e komunave, kuptohet jo me suksesin e plotë”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë, tha se gjatë vitit të kaluar janë identifikuar dhe adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me zhvillimin në komuna, ku një pjesë e tyre ai tha se kanë të bëjnë me legjislacionin.

Ai ka përmendur aprovimin e ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale, që sipas tij do të ishte një zhvillim i madh për komunat.

Haradinaj: Çdo kërkesë që është për interes të zhvillimit ekonomik është adresuar me kujdes

“Kemi miratuar mbi 50 vendime nga niveli nacional, nga niveli i Qeverisë që i adresojnë kërkesat e komunave, në Qeveri janë miratuar 26 kërkesa për kthim të pronës. Pra, të gjitha që kanë ardhur prej komunave, dhënien në shfrytëzim dhe për nivelin e zhvillimit komunal. I kemi edhe 14 kërkesa të reja prej komunave, por na duhet të presim vendimin e Gjykatës, jemi në atë momentin para votimit të ligjit dhe megjithatë ne duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duhet me prit para se me marrë vendime të tjera. Çdo kërkesë që është për interes të zhvillimit ekonomik është adresuar me kujdes, po ashtu kemi punuar edhe nga niveli nacional, jo vetëm kërkesat e komunave po kemi nxitur edhe ne disa projekte të tilla siç është rasti me parkun inovativ trajnues në Prizren, që është një projekt i përbashkët”, tha ai.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme makrofiskale në vend, ministri i Financave Bedri Hamza, tha se viti është përmbyllur mirë me një deficit primar shumë më të mirë sesa i planifikuari.

Ai bëri të ditur se janë kryet të gjitha obligimet ligjore dhe kontraktuale për paga, pensione dhe transfere sociale.

Granti prej nivelit qendror për komuna është duke u rritur në vazhdimësi, e ministri Hamza tha se do të rritet vazhdimisht. Hamza ka pasur një lutje për kryetarët e komunave, që të rrisin nivelin e inkasimit të të hyrave vetanake.

Hamza: Niveli lokal të hyrat vetanke thuajse e mban në nivel përafërsisht të njëjtë që 10 vitet e fundit

“Një financim që unë po ju lus me mirësjellje që nuk është në nivelin adekuat dhe nuk mund të zhvilloni shumë projekte pa e rritur nivelin e inkasimit të të hyrave vetanake. Nëse e shikojmë historikun, nuk po dëshiroj të flas specifike por në total po flas, historikun e të hyrave vetanake del që niveli lokal të hyrat vetanke thuajse e mban në nivel përafërsisht të njëjtë që 10 vitet e fundit. Që 10 vitet e fundit po flas në nivel të përgjithshëm si komuna, jo për komuna specifike dhe mungesa e inkasimit të të hyrave sigurisht që juve ua vështirëson pastaj edhe zbatimin e projekteve. Po e them nga të hyrat e mundshme jo, por nga të hyrat e planifikuara prapë kemi në mesatare, jo individuale nën përformancë në raport me planin”,tha ministri Hamza.

Ministri i Financave tha se ka qenë një pengesë buxheti pesë shifror dhe se e kanë eliminuar këtë pengesë me qëllim që t’ua bëjnë më të lehtë ekzekutimin.

Ligji për menaxhimin e financave të pushtetit lokal sipas ministrit komunave u sjell vështirësi dhe kufizime, për këtë ai tha se është në procedurë dhe se është i sigurt që gjatë këtij viti ky ligj do të amendatohet dhe do të ketë një ligj që do t’u përshtatet komunave.

Ai ka përmendur ligjin për kryeqytetin dhe për Obiliqin që do të financohen nga buxheti dhe për këtë tha se është paraparë në buxhetin e këtij viti.

Ndërsa koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se është miratuar strategjia për zhvillim ekonomik lokal 2019-2023, ndërkohë që ka përmendur se do të themelohet një departament i veçantë që do të merret me zhvillimin ekonomik lokal.

Tahiri: Do të themelojmë një departament i cili do të merret me zhvillimin ekonomik lokal     

“Kemi kaluar një numër të madh të pronave tek ju, të gjitha kërkesat që i keni pasur kanë kaluar, janë edhe 14 që kanë ardhur. Tutje janë edhe 2, 3 ligje shumë jetike që lidhen me zhvillimin ekonomik lokal. Pra, përmes këtij koncepti dëshirojmë që të gjithë këtë që e kemi kaluar në letër, çka e kemi në strategji ta kthejmë në praktikë. Do të themelojmë një departament të veçantë i cili do të merret ekskluzivisht  me zhvillimin ekonomik lokal, që është edhe kompetenca e parë tek komunat, në mënyrë që çdo projekt të kemi një instancë të cilën e krijojmë enkas për ju dhe për këto programe”, bëri të ditur ai.

Ndërsa kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu, ka kërkuar që  rekomandimet e këtij asociacioni të merren parasysh.

Veliu: AKK ka mirëpritur miratimin e projektligjit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mirëpritur miratimin në lexim të parë të projektligjit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim në Parlamentin e Kosovës. Duhet të theksoj që të gjitha rekomandimet e Komunave janë inkorporuar në projektligjin final fal bashkëpunimit të mirë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe me komisionin parlamentar për Vetëqeverisje Lokale. Shpresojmë që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji situata rreth zhvillimit ekonomik lokal do të ndryshojë pozitivisht. Amendamentimi i këtij ligji ka qenë kërkesë e komunave sepse zbatimi i ligjit aktual ka qenë shumë i vështirë e çka është me rëndësi ka qenë shumë vështirë joshja e investitorëve potencial për investime nëpër komunat tona”, tha ai.

Veliu tha se bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka evidentuar projektligjet në të cilat Komunat e Kosovës do të marrin pjesë në grupet punuese qoftë në hartimin apo në çështje të tjera. Prej 70 projektligjeve Veliu tha se do të bëjnë kërkesë që të marrin pjesë në hartimin e 21 projektligjeve, pasi sipas tij disa prej këtyre projektligjeve do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.

Zhvillimi ekonomik lokal, prioritet për këtë vit

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim pune kryetarët e Komunave në kuadër të "Forumi Konsultativ Qeveri - Komuna".

Me këtë rast, Haradinaj, ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat.

"Përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat. Disa prej tyre po i theksoj dhe po filloj me aprovimin e ligjit për dhënien në shërbim të pronave. Kemi aprovuar mbi 50 vendime që janë kërkesa të komunave. I kemi edhe 14 kërkesa të reja nga komunat, por duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo kërkesë që është për zhvillim ekonomik është trajtuar me prioritet. Sa i përket buxhetit e di që nuk jeni të kënaqur. Për vitin që vjen ne na duhet të shkojmë me prioritet se çka kanë mbetur punët pa bërë", tha Haradinaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se granti për komunat po rritet vazhdimisht. Por ai ka pasur një lutje për të gjithë kryetarët e komunave.

 " Niveli lokal inkasimin vetanak e mban në një nivel të njëjtë dhe mungesa e inkasimit të të hyrave ju vështirëson realizimin e projekteve. Janë disa iniciativa ligjore që juve iu lehtësojnë humbjen. Këtë vit i kemi planifikuar në buxhet financimin e dy ligjeve, ligji për Prishtinën dhe për Obiliqin. I kemi marrë në konsideratë shumë projekte të komunave dhe shumë projekte të tjera janë prej nivelit qendror për nivelin lokal. Kanë qenë 5 marrëveshje me qeverinë austriake, të gjitha janë aprovuar. Janë gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm me qeverinë hungareze", tha ai.

Ndërsa kyetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu, këroi rekomandimet e këtij asociacioni të merren parasysh.

 "Ju lutemi që rekomandimet që vijnë nga komunat përmes asociacionit të merren parasysh", tha ai.

Ndërsa koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se këtë vit prioritet e kanë zhvillimin ekonomik lokal.

“Ne kemi miratuar strategjinë për zhvillimin ekonomik lokal. Kemi kaluar një numër të madh të pronave tek ju, tutje janë edhe disa ligje te tjera. Do të themelojmë një departament të veçantë që do të merret me nivelin lokal. Do të punojmë ngushtë me kryetarin e Asociacionit të Komunave", tha ai.

Image

***

Kryeministri Haradinaj pret në takim kryetarët e komunave 

Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim pune kryetarët e komunave në kuadër të "Forumi Konsultativ Qeveri - Komuna".

**

Kryeministri Ramush Haradinaj sot do të takohet me kryetarët e Komunave të Kosovës.

Ky takim është në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna”.

Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë, duke filluar nga ora 09:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat