Intervistimi i Sami Lushtakut në Hagë e dështon seancën ndaj Azem Sylës e të tjerëve në rastin ‘Toka’

Aktuale

Intervistimi i Sami Lushtakut në Hagë e dështon seancën ndaj Azem Sylës e të tjerëve në rastin ‘Toka’

Më: 16 janar 2019 Në ora: 10:01
Gjykimi në rastin

Seanca gjyqësore në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka” është shtyrë përsëri.

Gjatë seancës së sotme është paraparë që palët ta japin fjalën hyrëse por një gjë e tillë është bërë e pamundur pasi që në sallë të Gjykatës nuk janë paraqitur tre avokat.

Për Arianit Kocin dhe Granit Vokshin klientët e tyre thanë se ata gjenden në Hagë.

E ky i fundit ditë më parë me anë të një parashtrese e ka informuar Gjykatën se për shkak se do të jetë në Hagë duke mbrojtur një klient tjetër nuk do të mund të marrë pjesë në këtë seancë gjyqësore.

“Granit Vokshi para dy dite përmes një parashtrese e informon kryetarin e trupit gjykues e nuk do të mund të jetë prezent në seancën e sotme me arsyetimin se është i angazhuar në mbrojtjen e personave që do të intervistohen në Hagë dhe meqë avokati Granit Vokshi e ka informuar Gjykatën, kolegu i tij Arianit Koci nuk e ka parë të arsyeshme fare. Me siguri e ka vlerësuar faktin notor se Gjykata e di se ai gjendet së bashku me avokatin Granit”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Ndërsa për mungesën e avokates Xhevahire Kloppner, gjyqtari Kalludra tha se Gjykata nuk ka informata lidhur me mungesën e saj pasi që e njëjta nuk e ka arsyetuar mungesën.

Mungesën e vazhdueshme të avokateve dhe dështimin e mbajtjes së seancave gjyqësore lidhur me këtë gjykim, kryetari i trupit gjykues e cilësoi papërgjegjësi e avokateve ndaj sistemit të drejtësisë madje ai deklaroi se më nuk do të toleroj mungesa të tilla.

“Papërgjegjësi totale ndaj sistemit të drejtësisë dhe po u vë në dijeni se kjo do të jetë hera e fundit që shtyhet në këtë mënyrë seanca e shqyrtimit gjyqësor në mungesë të avokatëve”, tha gjyqtari Beqir Kalludra, shkruan kallxo.

Lidhur me mungesën e avokateve, ai tha se do ta informoj edhe Odën e Avokateve.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Rasti është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Beqir Kalludra, Shashivar Hoti, e Violeta Namani ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurori special Naim Abazi.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat