VV: S’ka mjete për ligjin e pagave, Hamza të tregojë ku do t’i marrë mjetet

Aktuale

VV: S’ka mjete për ligjin e pagave, Hamza të tregojë ku do t’i marrë mjetet

Më: 16 janar 2019 Në ora: 12:43
Fatmire Kollçaku

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në mbështetje të punonjësve shëndetësorë, pasi konsideron se këta të fundit u mashtruan nga Qeveria për rritje të pagave, kur sipas Vetëvendosjes dihet se kjo e fundit nuk mund të zbatojë ligjin.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha në një konferencë për media se ishte vendimi i  njëanshëm për rritjen e pagave të qeveritarëve, që nxiti grevat e kirurgëve, grevën në arsim dhe atë të minatorëve.

Sipas saj, është e rrugës që ministri i Financave, Bedri Hamza, të dalë dhe të tregojë se ku do t'i marrë mjetet për të mbuluar pagat.

Kollçaku: Nuk ka mjete për ligjin e pagave

“Ne këtu para qytetarëve të Kosovës me përgjegjësi të plotë themi që projektligji për paga është e pamundur, nëse miratohet në Kuvend këtë vit, që të zbatohet brenda këtij viti, sepse nuk ka buxhet të paraparë për këtë ligj. Ftoj në emër të Qeverisë ministrin e Financave që të del atë ditë në seancë dhe para publikut të gjerë që do ta përcjellë seancën, të deklarojë ku do t’i merr mjetet për zbatimin e ligjit për paga sepse këto mjete nuk i kanë paraparë në projektligjin për pagat. Ky është mashtrim për të cilin ka kaq pakënaqësi në shtetin tonë”, tha ajo.

Duke e quajtur të pavolitshme situatën në të cilën ndodhet shëndetësia, Kollçaku u shpreh se Qeveria duhet të takohet për të biseduar me mjekët.

Sipas saj, grevës së kirurgëve, sot i janë bashkuar edhe mjekë të tjerë, përfshirë Ortopedinë, para-klinikat dhe Spitalin e Ferizajt. 

Kollçaku: Për grevën e kirurgëve është fajtore Qeveria e Kosovës

“Kjo grevë po përshkallëzohet dhe obligim i jonë si deputetë të Parlamentit të Republikës të Kosovës është që të brengosemi për qytetarët tonë. Pasojat e kësaj greve i vuajnë të sëmurët, i vuajnë pacientët të cilët i drejtohen Klinikës Universitare dhe aty tashmë mbi 1 mijë operacione janë anuluar, ambulancat specialistike nuk punojnë dhe siç e dini po trajtohen vetëm rastet urgjente. Ne me përgjegjësi të plotë themi se nuk është faji për këtë që po ndodhë i mjekëve. Pikërisht është faji i kësaj Qeverie, e cila menjëherë pas marrjes së mandatit, vendimin e parë të rëndësishëm ishte rritja e njëanshme e pagave për vete”, u shpreh ajo.

Kollçaku tha se një diferencë kaq e madhe e pagave të larta të qeveritarëve me mjekët dhe punonjësit tjerë, është papërgjegjësi e plotë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat