Vitin e kaluar dhuna në familje shënoi rritje, mes tyre viktima ishin 265 meshkuj - Bota Sot
Vitin e kaluar dhuna në familje shënoi rritje, mes tyre viktima ishin 265 meshkuj

Aktuale

Vitin e kaluar dhuna në familje shënoi rritje, mes tyre viktima ishin 265 meshkuj

Më: 17 janar 2019 Në ora: 09:42
Ilustrim

Dhuna në familje ka shënuar rritje vitin e kaluar, ndërkohë si pasojë e dhunës shtatë raste përfunduan me fatalitet. Sipas Policisë, gjatë vitit 2018 janë raportuar 1 mijë e 496 raste të dhunës në familje, apo 227 raste më shumë se në vitin 2017. Viktimat më të shpeshta ishin gratë, ndërkohë që në mesin e tyre kishte burra dhe fëmijë.

Ishte dashuria ajo që e shtyu të lë familjen në Tropojë të Shqipërisë, e të martohej në Gjakovë. Por, dashuria nuk zgjati shumë për të. Vetëm pak kohë pas martesës, ish burri filloi të ushtrojë dhunë fizike e psikike, thotë për Radio Kosovën L.H., emër i njohur për redaksinë.

‘Unë kam pasur dhunë prej burrit. Më ka sha. Më ka rrahur, sa që  kam mbetur pavetëdije. M’i ka rrahë fëmijët. Nuk kam pasur shans kurrqysh të lajmëroj policinë, s’di sa herë. Në momentet që më ka ardhur shansa, kam lajmëruar policinë. Policia ka ardhur menjëherë, edhe më kanë sjellë në strehimoren në Gjakovë. Faleminderit edhe prej këtyre që më kanë hapur derën, sepse, kam qenë jashtëzakonisht keq!”,  rrëfeu ajo.

L.H, e cila për disa vite ishte viktimë e dhunës në familje, thotë se ish burri ushtroi dhunë edhe gjatë kohës sa ishte shtatzënë në vajzën, të cilën e lindi pasi u vendos në strehimoren “Shtëpia e Sigurt”, ku prej një viti jeton edhe me dy fëmijët e tjerë. Tropojanja, që në Gjakovë u martua pa “izën” e familjes, thotë se mund të kthehet në shtëpinë e vajzërisë, por, këtë nuk po e bënë, pasi nuk mund t’i lërë fëmijët vetëm.   

“Tash po më lusin familja të shkojë te ata, por më kanë thënë lërja fëmijët atij, edhe hajde te shtëpia. Unë i kam thanë, nuk mund të vij se fëmijët nuk i lë, në dorë të pijanecit fëmijët nuk mund t’i lë. Ai e ka edhe një fëmijë në shpi, të cilin e torturon. Fëmijën e vet e qet me lyp për t’i ble kafe e për t’i ble duhan… Unë nuk lejoj fëmija im të  mbetët në dorën e tij”, tha ajo.

Në strehimoren “Shtëpia e Sigurt”, përveç L.H-së dhe tre fëmijëve të saj, gjatë vitit 2018 strehë gjetën edhe 70 viktima të dhunës në familje.  Ndërkohë, sipas Policisë së Kosovës, bazuar në rastet e raportuara, dhuna në familje ka shënuar rritje vitin e kaluar.

Policia, nëpërmjet një emaili, ka thënë se numri i rasteve të dhunës në familje, të raportuara gjatë vitit të kaluar ishte 1496, apo 227 raste më shumë se në vitin 2017. Në mesin e viktimave ishin edhe 265 meshkuj. Ndërkohë që, shtatë raste përfunduan me fatalitet, si pasojë e dhunës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...