Investitori i parë strategjik në Kosovë në energji me erë

Aktuale

Investitori i parë strategjik në Kosovë në energji me erë

Më: 17 janar 2019 Në ora: 12:12
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se Kosova ka para vetës një listë prej 11 investimeve strategjike në vlerë prej 1.8 miliardë eurosh, e që i pari nga to është investim i një kompanie gjermane në fushën e energjisë me erë.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme teksa ka pasur një takim pune në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare bashkë me investitorë gjermanë dhe sipërmarrës nga Kosova.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se politika fiskale në Kosovë, është vërtet e avancuar, teksa ka treguar se rritja ekonomike këtë vit do të shkojë në 4.3 përqind.

Haradinaj: Kemi ligjin për investime strategjike, po vijmë deri te suksesi i parë

“Diçka që është shumë lajm i mirë dhe mendoj se është i rëndësishëm me e thënë, meqë kemi ligjin për investime strategjike për fat të mirë edhe po vijmë deri tek suksesi i parë. Një kompani që është gjermane po që është koncercium edhe me palë të tjera në energjinë me erë, pra është e parakualifikuar në bazë të vlerësimit të ministrisë dhe veç procesi është i gatshëm që me u lajmëru, pra investitori i parë me investime strategjike në energji me erë”, tha ai.

Kreu i Qeverisë ka thënë se rritja ekonomike këtë vit do të shkojë 4.3 përqind, ndërkohë që ka potencuar edhe një herë se këtë vit fokusi i Qeverisë do të jetë te ekonomia.

Haradinaj: Rritja ekonomike do të shkoj 4.3 përqind në Kosovë

“Tashmë veç është e dakorduar si numër rritja ekonomike do të shkoj 4.3 përqind në Kosovë, që është e respektueshme edhe në rajon dhe është e lartë krahasuar me trendët e mëhershme. Në Kosovë evidencat flasin se janë 347 mijë e 550 të punësuar, një pjesë janë në sektorin publik, por pjesa më e madhe është në sektorin privat. Është rreth 2 përqind më shumë sesa një vit më përpara me statistikë. Po ashtu, edhe bruto prodhimi vendor është 6 miliardë e 761 milionë euro, po 30 përqind janë të lidhura me investimet kapitale. Investimet në sektorin privat të evidentuara janë 1.43 miliard euro, në atë publik si investime kapitale janë 536, e plot numra të tjerë flasin për një Kosovë, po e quaj ashtu stabile. Për shembull të hyrat buxhetore janë 1.83 milard, shpenzimet janë 2.1. Buxheti për vitin 2019 është 2.38 miliardë euro dhe 33 përqind e këtij buxheti është për investime kapitale”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj tha se remitencat në vitin 2018, kanë qenë 800 milionë euro, ndërsa, importi mbi 3 miliardë euro, por që ka thënë se 10 herë më pak ka pasur eksport, rreth 352 milionë euro.

Haradinaj: Politikën fiskale e kemi të avancuar

“Ne politikën fiskale në Kosovë e kemi vërtet të avancuar, sikurse e dimë 10 përqind është tatimi në fitim, zero përqind në dividentë, maksimumi 10 përqind në të ardhura personale, TVSH 8 dhe 18. E kemi po ashtu një përmirësim të të bërit biznes dhe ligjet e reja tatimore që mundësojnë kompanitë e sigurimeve të paguajnë tatimin sipas profitit, fermerët pra, i zbritet nga 3 përqind në 1 përqind. Pagesa e TVSH-së bëhet në vend e jo në kufi që mundëson kapital shtesë për zhvillimin e biznesit, njëkohësisht kthimi i borxhit të ankesave në ATK”, tha ai.

Lajm të mirë e ka quajtur pakon ligjore që e rregullon forcimin e ligjit, ku ai tha miratimi i tyre në Kuvend e forcojnë sundimin e ligjit.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, ku ka thënë se është shembulli më i mirë i bashkëpunimit ekonomik Kosovë - Gjermani, adresë e pranisë ekonomike gjermane, për investime të huaja dhe hapje të vende të reja të punës.

Ndërkaq, menaxheri i programit Konrad Adenauer Stiftung, Granit Tërrnava, ka thënë se Kosova përballet me shumë sfida në shumë fusha, mirëpo për një pjesë të madhe të këtyre sfidave sipas tij, ekonomia është zgjidhja.

Tërrnava: Nxitja e zhvillimit ekonomik ka qenë në fokusin tonë

“Nxitja e zhvillimit ekonomik, promovimi i modelit të ekonomisë sociale të tregut dhe përgjithësisht vlerave të qendrës së djathtë, kanë qenë në fokusin tonë gjithmonë. Një gjë e tillë është forcuar edhe më shumë gjatë tri viteve të fundit përmes aktiviteteve të ndryshme që kanë pasur fokus ekonominë dhe nxitjen e ardhjes së investimeve të huaja në vend”, tha ai.

Ai bëri të ditur se kanë publikuar një manual për investitorët e huaj që përmban informata praktike për procedurat, mundësitë dhe sfidat e të investuarit në Kosovë.

Ky manual, sipas Tërrnavës u është shpërndarë shumë personave dhe kompanive të ndryshme me qëllim që të sjellin investime të huaja në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat